Kelmendi iu ribashkua AAK-së
Prishtinë, 8 maj - Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), sot i është ribashkuar Muhamet Kelmendi. Muhamet Kelmendi do të jetë pjesë e strukturave politikëbërëse e vendimarrëse në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga AAK-ja.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se përvoja dhe ekspertiza e prof. Muhamet Kelmendit është gjithmonë e rëndësishme për proceset dhe zhvillimin e jetës institucionale në vend, e tillë ka qenë edhe në fillimin e ngritjes së institucioneve në Kosovën e pasçlirimit dhe i tillë do të jetë edhe në të ardhmen, në kuadër të Aleancës dhe në institucionet e vendit.
Kelmendi, edhe më herët ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një ndër bashkëthemeluesit e saj. Njihet me veprimtarinë e tij në krye të shumë proceseve të dekadave më të rëndësishme të përpjekjeve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Aktualisht është mësimdhënës në disa universitete të vendit.