Kelmendi: AAK nuk futet në Qeveri pa shkuar vendi në zgjedhje
Prishtinë, 9 shkurt - Muhamet Kelmendi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se me shkuarjen e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, në takimin e thirrur nga Presidentja, nuk është përçarë blloku opozitar.
Sipas tij, nuk duhet të mbyllen rrugët e komunikimit pozitë dhe opozitë.
Duhet të vazhdohet me paraqitjen e kërkesave zyrtare pranë organeve, në këtë rast para presidentes, e cila, e mirë ose e keqe është ajo që ka dalë nga vota e Kuvendit. Qëndrimet e bllokut opozitar nga ana e liderit të AAK-së janë paraqitur shumë më qartë në këtë takim, ka thënë Kelmendi në emisionin Kontakt në Tribuna Channel.
Ai ka komentuar edhe raportimet në media se kinse AAK është e gatshme të futet qysh tani në Qeveri.
Nuk ka pjesëmarrje të AAK-së në Qeverinë e Kosovës pa shkuar vendi në zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar ai në Kontakt.
Vota e qytetarëve, sipas Kelmendit, e përcakton se kush duhet të marr drejtimin e qeverisë.
Çdo parti e cila do të shkonte tani në krijimin e një koalicioni të ri të mundshëm, pa shkruar vendi në zgjedhje, është ndarje nga populli, ka thënë ai.
Kelmendi nuk e ka përjashtuar mundësinë se pas zgjedhjeve të radhës nacionale, AAK të jetë në Qeveri me PDK-në ose LDK-në.