KE sot i dorëzon Kosovës raportin e vlerësimit për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 12 shkurt - Një delegacion i Komisionit Evropian, po viziton sot Kosovën zyrtare, për të dorëzuar raportin rreth vlerësimit të punës së institucioneve vendore në përmbushjen kritereve për liberalizim të vizave.
Ardhja e zyrtarëve të lartë të Komisionit Evropian për të paraqitur raportin rreth punës që kanë bërë institucionet e Kosovës në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, nuk duket të jetë shumë shpresëdhënëse, vlerësojnë analistë të integrimeve evropiane.
Raporti është i strukturuar në pesë pjesë ku ekspertët e Komisionit Evropian kanë dhënë këshillat e tyre për secilin kriter që kërkohet për liberalizimin e vizave.
Në këtë dokument tregohen të arriturat dhe ngecjet e Qeverisë e Kosovës në përmbushjen e kritereve, përfshirë pajisjen me pasaporta biometrike, Menaxhimin e Integruar të Kufijve, reformimin e sistemit gjyqësor, gjendjen civile, ligjin, riatdhesimin si dhe disa fusha të tjera.