KE rikonfirmon mbështetjen për Agjencinë Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 16 nëntor - Pas publikimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Zyrës Ndërlidhëse të KE-së, Khaldoun Sinno vizitoi Agjencinë Kundër Korrupsionit për të rikonfirmuar mbështetjen e Bashkimit Evropian për institucionet kundër korrupsionit në Kosovë.
Sinno u takua me drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, për të diskutuar për zhvillimet e kohëve të fundit.
Raporti i Progresit ka identifikuar progres në luftimin e korrupsionin me forcimin e kornizës ligjore, përfshirë ligjet e ndryshme si ligji për mbrojtjen e informuesve, ligji për deklarimin e pasurisë dhe dhuratave dhe ligji për prokurimin publik. Megjithatë, fokusi duhet të vihet në zbatimin e këtyre ligjeve.
BE-ja e ka mbështetur kornizën ligjore në fushën kundër korrupsionit, zbatimin më të mirë të politikave dhe rritjen e vetëdijesimit publik.
Duke uruar Preteni për riemërimin e tij, Khaldoun Sinno tha pas takimit: \"Pas vënies së themeleve institucionale dhe ligjore, agjencia tani po shkon drejt fazës së konsolidimit dhe zbatimit\".
\"Një ndër elementet kyçe për suksesin e agjencisë do të jetë bashkëpunimi ndërinstitucional me prokurorinë dhe me agjencitë për zbatimin e ligjit. Mospërputhjet ekzistuese në deklarimet e pasurisë së zyrtarëve publikë duhet të zbulohen nga agjencia dhe në to duhet punuar në mënyrë më aktive me ndihmën e ligjit për gjyqësorin dhe të agjencive për zbatimin e ligjit.\"
BE-ja vazhdon të mbështesë institucionet për luftimin e korrupsionit në Kosovë me projekte të ndihmës teknike. Ndihma e re e BE-së për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik do të fillojë në muajin shkurt 2012.
Bashkimi Evropian do të organizojë një konferencë në Prishtinë me 29-30 nëntor 2011 për rolin e shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër korrupsionit. Qëllimi i kësaj konference është që të diskutohet kontributi i mundshëm i shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë në luftën kundër korrupsionit.