KE do të publikojë studimin e fizibilitetit për Kosovën
Në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën thuhet se Komisoni e ka miratuar një Studim të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën.
Ky studim konfirmon se kjo marrëveshje mund të vendoset ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës në një situatë ku vendet anëtare të BE-së mbajnë qëndrime të ndryshme rreth statusit të Kosovës.
Komisioni do të propozojë negociimin e direktivave për një marrëveshje të Stabilizim Asociimit me Kosovën kur ajo të bëjë progres në përmbushjen e një numri të prioriteteve afat shkurtëra, thuhet në raport.
Është qenësore që Kosova të vazhdojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe të angazhohet konstruktivisht në një varg çështjesh, me ndërmjetësimin e BE-së.
Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që të dyja vendet ti vazhdojnë rrugët e tyre drejt BE-së. Asnjëra palë nuk mund ta bllokojë palën tjetër gjatë këtyre përpjekjeve.
Sa i përket problemeve në veri të Kosovës, respektimi i disa nevojave të rëndësishme për popullatën lokale atje do të jetë një element qenësor i këtij progresi, thuhet ndë të tjera në raport.
Ndryshe nga vitet e tjera, kur për Kosovën ishte përpiluar një Raport i Progresit, kësaj radhe Komisioni ka hartuar një studim të fizibilitetit për marrëveshjen eventuale për Stabilizim-Asociim.
Në paketën vjetore të zgjerimit të BE-së, e cila tregon zhvillimin e vendeve që duan ti bashkohen BE-së, ekziston një dritë jeshile që Kosova ti nisë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.
Kjo marrëveshje është një instrument që ka për qëllim ti ftojë vendet e ardhshme anëtare më afër BE-së dhe tashmë u është dhënë të gjitha shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.