19 Janar 2025

KDI: Të mbrohet Kuvendi nga degradimi i mëtutjeshëm

Prishtinë, 24 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka organizuar një konferencë për media, ku ka prezantuar të gjeturat e KDI-së mbi rrjedhën e punimeve të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës gjatë dy javëve të kaluara.

Driton Selmanaj nga KDI, ka thënë se ky Institut ka përcjellur me shqetësim rrjedhën e punimeve të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës gjatë javëve të kaluara, ku ky institucion qoftë duke marrë vendime apo duke mos qenë pjesë e vendimeve  ka cenuar në 3 raste ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në vend.

Ai ka përmendur tri rastet që sipas KDI-së janë veprime të papranueshme dhe cënojn rendin juridik dhe kushtetues në vend. 

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave për të punësuarit në sektorin publik në Kosovë, pa marrë miratimin e Kuvendit të Kosovës si autoriteti qendror që aprovon P/ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, shkel ligjet dhe mandatin kushtetues të Kuvendit të Kosovës,  shtoi Selmanaj.

Sipas tij, Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014 në Neni 13. 3 decidivisht thotë se: “Asnjë transfer i ndarjeve buxhetore nuk mund të bëhet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve nga ndonjë kategori tjetër ekonomike pa aprovim paraprak të Kuvendit”. 

KDI, pa u lëshuar në vlerësime mbi rëndësinë e rritjes së pagave për qytetarët e Kosovës, konsideron se anashkalimi i Kuvendit nga ana e Qeverisë, dëshmon për cënim të pavarësisë së pushteteve në Kosovë, tha më tej Selmanaj.
 
Çështja tjetër e adresuar nga përfaqësuesi i KDI-së, kishte të bënte me zgjedhjen e Avokatit të Popullit. KDI vlerëson se Kuvendi i Kosovës në seancën e 19 marsit (e cila ishte vazhdim i seancës së 13 marsit), ka shkelur Ligjin për Avokatin e Popullit (neni 9.2) dhe Rregulloren për Zgjedhjen dhe Shkarkimin e Avokatit të Popullit dhe të zëvendësve të Avokatit të Popullit, përkatësisht nenin 9 të kësaj rregulloreje. 

Kuvendi në këtë seancë plenare nuk arriti ta zgjedhë Avokatin e Popullit, pasi kishte  realizuar vetëm dy raunde të votimit, ndërkohë që Ligji dhe Rregullorja përcaktojnë ndryshe. Vendimi për të rishpallur konkursin sipas KDI-së është i kundërligjshëm, tha në vazhdim Selmanaj.

Gjithashtu në këtë konferencë u adresua edhe Vendimi i Kuvendit lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj.

KDI  reagon ndaj iniciativës së Qeverisë së Kosovës përkatësisht subjekteve parlamentare nga koalicioni qeverisës, ku “detyruan” Kuvendin e Kosovës të marrë vendim për të mbështetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me ekzekutimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e ish-punëtorëve të Fabrikës së Gypave në Ferizaj, shtoi Selmanaj.

Ai vlerësoj se neni 116 i Kushtetutës së Kosovës thotë se: Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës.

Sipas Selmanajt, kjo qasje e Kuvendit të Kosovës për ti marrë në trajtim vendimet e plotfuqishme gjyqësore përfshirë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, janë precedentë që cenojnë rëndë rendin kushtetues bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe kontrollit e balancimit në mes tyre.

Po ashtu KDI, shprehu shqetësim edhe për papërgjegjësinë e ekzekutivit për t’ju përgjigjur pyetjeve parlamentare të deputetëve, ku vetëm në seancën e fundit të 20 marsit, nga 11 pyetje të deputetëve vetëm një mori përgjigje.

Në fund Selmanaj tha se “Nisur nga të gjitha këto ngjarje KDI u bën thirrje subjekteve politike parlamentare që ta mbrojnë Kuvendin e Republikës nga degradimi i mëtutjeshëm  i cili po e vë në pikëpyetje funksionalitetin e sistemit politik dhe institucional të vendit”.
 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)