KDI: Reforma mos ti përshtatet marrëveshjeve partiake
Prishtinë, 13 mars - Rrjeti i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) njofton se Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Evropian të Organizatave për Monitorim të Zgjedhjeve (ENEMO) ka vendosur që të pranoj DnV-në në strukturat e saj, fillimisht si anëtare të asocuar siç edhe parashihet me statut.
Anëtarësimi i DnV-së në ENEMO përveçse na mundëson përfshirjen në misione ndërkombëtar të monitorimit të zgjedhjeve, konfirmon faktin e besueshmërie së lartë që gëzojmë edhe jashtë vendit që vjen në saje të punës së palodhshme në 7 vite në shërbim të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe transparente.
Po bëhen gati 4 vite që kur nisën përpjekjet për të adresuar nevojën për një reformë të mirëfilltë zgjedhore, e cila do të prodhonte një sistem zgjedhor të thjeshtë dhe në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare. Përkundër rekomandimeve të shumta nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare për të përmbyllur këtë proces të filluar kohë më parë, reforma zgjedhore vazhdon të mbetet në hije.
Kujtojmë se përpjekja e fundit për reformimin e sistemit zgjedhor synonte krijimin e më shumë zonave zgjedhore si dhe zgjedhjen e Presidentit direkt nga qytetarët. Amandamentimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ishte bartur nga një komision në tjetrin dhe i tërë ky proces kishte rezultuar me disa ndryshime më shumë të natyrës teknike, të cilat edhe ashtu nuk u miratuan si pasojë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme të 8 Qershorit.
Tani kur institucionet janë konstituuar dhe zgjedhjet lokale parashihet të mbahen pas dy viteve, është koha e duhur që ti rikthehemi reformës së njëmendtë zgjedhore, përmes një debati të hapur, gjithëpërfshirës dhe pa presion të kohës. Gjithashtu, pjesë e debatit duhet të jetë edhe mënyra e zgjedhjes së Presidentit (direkt nga qytetarët apo nga Kuvendi), e kurrsesi përcaktues të mos jetë përshtatja marrëveshjeve paraprake në mes të subjekteve politike.
Përcaktimi për një sistem të përshtatshëm zgjedhor ka peshë shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë si dhe do të ketë konsekuenca thelbësore në organizimin e jetës institucionale-politike, bazuar në vlera të mirëfillta demokratike.
Ekziston një tendencë që ndryshimet në legjislacion dhe sistemin zgjedhor në Kosovë të bëhen për hir të shmangieve të parregullsive në administrim të zgjedhjeve, por jo edhe për të siguruar një përfaqësim të drejtë qytetar. Propozimi për mbylljen e listave nuk duhet të shihet si zgjidhje për shmangien e manipulimeve të kandidatëve brenda së njëjtës listë, njëjtë sikurse rivendosja e bartësit të listës nuk duhet të shërbej si mjet për liderët partiak që ti mbajnë larg kundër-kandidatët eventual. DnV beson se reforma zgjedhore mbi të gjitha, duhet të garantojë një përfaqësim të drejtë, dhe të mos shndërrohet në një proces të ngutshëm e të pa analizuar si duhet.
Duke u bazuar në Kodin e Praktikave të Mira për Çështjet Zgjedhore të Komisionit të Venecias, që reforma duhet përmbyllur së paku një vit para mbajtjes zgjedhjeve për tu lënë hapësirë ndryshimeve të nevojshme administrative, Demokracia në Veprim kërkon nga institucionet që sa më shpejt të ri-aktualizojnë çështjen e reformës zgjedhore. Rekomandimet e DnV-së të dala nga përvojat në monitorim të zgjedhjeve dha të bazuara në analiza dhe hulumtime kualitative, ndër të tjera përfshijnë:
· Kodifikimin e legjislacionit zgjedhor në Kosovë, që do të bëhej përmes hartimit të një ligji të veçantë që do të përfshinte të gjitha ligjet tjera që kanë për qëllim caktimin e rregullave për përgatitjen, zhvillimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultateve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovë dhe zgjedhjet lokale.
· Krijimin e më shumë zonave zgjedhore në Kosovë me qëllim që të sigurohet përfaqësim më i drejtë gjeografik, të rritet llogaridhënia e të zgjedhurve ndaj zgjedhësve dhe të inkurajohet dalja më e madhe në zgjedhje.
· Aplikimin e votimit me lista të hapura sipas parimit një person një votë, që do të ofronte mundësi për qytetarët të kenë ndikim më të madh në zgjedhjen e deputetëve, do të rriste legjitimitetin e të zgjedhurve si dhe do të garantonte zgjedhjen e kandidatëve nga qytetari, e jo nga partia apo lideri. Ky sistem po ashtu zvogëlon rrezikun e forcimit të klaneve brenda partive.
· Uljen e pragut zgjedhor për subjektet politike në 3%, pasi pragu aktual prej 5% i favorizon partitë e mëdha dhe dekurajon pjesëmarrjen e partive më të vogla dhe atyre rajonale. Në kohën kur demokracia në Kosovë ende nuk është konsoliduar, subjektet politike nuk janë të profilizuara dhe vazhdojnë të mbesin të mbyllura për individ të ri, duke mos përfillur rregullat e demokracisë së brendshme, pragu më i ulët zgjedhore do të ishte promotor i mirë në nxitjen e këtyre zhvillimeve.
· Heqjen e pragut zgjedhor për kandidatët e pavarur, kategori kjo e cila ka qenë e diskriminuar me legjislacionin e deritanishëm në Kosovë.
· Heqjen e praktikës së votimit me kusht, si formë e tejkaluar dhe që nuk i shërben më qëllimit fillestar. Votimi me kusht është shembull i shteteve post-konfliktuoze dhe më shumë rezulton me shembuj dhe mundësi abuzive nga ana e militantëve të subjekteve politike, vonon shpalljen e rezultateve dhe paraqet rrezik potencial për uljen e besimit në tërë procesin zgjedhor. Heqja e votimit me kusht duhet të përcillet me fushatë për edukimin e votuesve për përditësimin e adresave të tyre në regjistrin civil.