29 Prill 2024

KDI: Qeveria vazhdon ta anashkalojë Kuvendin

Prishtinë, 9 mars - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar raportin mujor nga monitorimi i punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për muajt janar dhe shkurt 2012.

Përfaqësues të KDI-së, në një konferencë për media kanë prezantuar një varg të gjeturash për këtë periudhë, e që sipas tyre po ndikojnë në mbarëvajtjen e punës së legjislativit.

Driton Selmanaj nga KDI ka thënë se gjuha joparlamentare e deputetëve, kohëve të fundit në Kuvend, krijon tensione edhe tek qytetarët.

“KDI vlerëson me shqetësim se debati në Kuvendin e Kosovës ka degjeneruar në spastrim hesapesh personale deri në përmasat e terrorit verbal. Një qasje e tillë e deputetëve duke mbledhë apo sajuar informata  për kundërshtarët politikë shkelë etikën e ligjvënësit si dhe kjo  krijon konfuzitet dhe ngrit tensione tek qytetarët e Kosovës”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, me qëllim të parandalimin të këtyre fenomeneve KDI vlerëson se: 1. Presidentja e vendit e cila përfaqëson unitetin e popullit dhe garanton funksionimin  kushtetues të institucioneve,  t’u drejtohet qytetarëve që t’ua sqarojë këtë luftë speciale ndërmjet shërbimeve sekrete partiake dhe t’i garantojë ata për sigurinë e tyre, në vendin të cilit i janë luajalë dhe i paguajnë taksa;

2. Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës duhet të raportojë para Kuvendit dhe të dëshmojë se nga kush, në ç‘shkallë dhe sa është e rrezikuar siguria e vendit dhe interesat e tij?

3. Ndërkaq, Policia e Kosovës, të dëshmojë se në bazë të cilit ligj, të çfarë provave i raporton informata sensitive një deputeti me qëllim të diskreditimit të kundërshtarëve politik, dhe të përgjigjet para qytetarëve të vendit se a është rekrutuar Policia e Kosovës të mbrojë interesat e qytetarëve apo të ndonjë partie politike?

4. Kryetari i Kuvendit në përputhje me kompetencat që ia garanton Rregullorja e Kuvendit, përkatësisht neni 44, dhe me qëllim të parandalimit të degradimit të fjalorit parlamentar, duhet ti sanksionojë deputetët që përdorin gjuhë jo parlamentare.

E gjithë kjo do të ndihmojë në ndërtimin e shtetit ligjor në mbrojtjen e të drejtave civile dhe politike të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në konferencë është përmendur edhe dialogu Kosovë-Serbi, me ç’rast është thënë se Qeveria e Kosovës me urgjencë duhet t’i bëjë publike të gjitha dokumentet origjinale që kanë rezultuar nga bisedimet Kosovë-Serbi, si dhe të raportojë para Kuvendit i cili duhet të përfshihet në debat demokratik për pasojat eventuale politike dhe juridike të këtyre konkluzave.

Selmanaj ka folur edhe për Projektligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jo-bankare, që sipas tij, në rast të miratimit të këtij ligji, ku lejohet transformimi i subjektivitetit juridik të OJQ-ve mikrofinanciare në shoqëri aksionare, do të paraqiste një precendent të rrezikshëm dhe të pashembullt për shoqëritë e civilizuara dhe demokratike, si dhe do të dëmtojë seriozisht funksionimin dhe zhvillimin e sektorit joqeveritar në Kosovë.

Nga ana tjetër, Isuf Zejna thënë se Qeveria e Kosovës si pasojë e mungesë së fondeve, e cila ka ardhur si rezultat i disa akrobacioneve elektorale dhe politike, siç janë ngritja e pagave dhe projekti i autostradës, ka filluar të sponzorojë ligje dhe rregulla të reja fiskale për të mbledhur sa më tepër para që të jetë e mundur.

“Në këtë formë, fillimisht është lejuar importimi i automjeteve të vjetra, është rritur akciza për produktet e duhanit, është shtrenjtuar taksa e regjistrimit të automjeteve dhe tani me dy projektligjet e reja, projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe projektligjin për tatimin në të ardhurat individuale, vetëm sa është vazhduar ky trend”, ka thënë ai.

Sipas tij, projektligji për të ardhurat individuale, i përcakton kategoritë e reja për t’i tatuar në të ardhurat personale dhe tatimin në pronën e paluajtshme,kungarit  pragun e ulët nga 0.05 është ngritur në 0.15 %.

“Konsiderojmë se në këtë formë, po ngulfaten buxhetet familjare në Kosovë dhe po dëmtohet kualiteti i jetës së qytetarëve”.

Zejna ka folur edhe për siç ka thënë pa-sinqeritetin e Kuvendit karshi pensionistëve, pasi sipas tij, Kuvendi edhe pas një debati shumë të gjerë nuk ka kanalizuar këtë çështje me nxjerrje të ndonjë vendimi.

Pushteti dhe opozita ka thënë ai, po tregohen të pa sinqertë, pasi njëra kërkon të blejë sa më shumë kohë, dhe tjetra kërkon me vendime ad hoc, të zgjidhet kjo çështje. Kuvendi sipas Zejnës po kërkon zgjidhje të lehta mirë po, ato nuk janë të qëndrueshme.

“Rritja e pensioneve në Kosovë, është e mundur, nëse për këtë kemi vullnetin e duhur institucional për t’i hyrë një reforme të thellë të sistemit pensional. Për këtë gjë KDI i ka ofruar Kuvendit një punim në të cilin janë studiuar format e mundshme të adoptimit të legjislacionit pensional në Kosovë, duke marr për shembull shumë vende të rajonit dhe më gjerë”, ka thënë ai në fund të konferencës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)