KDI publikon parregullsitë dhe ngecjet në komuna
Prishtinë, 1 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), së bashku me 11 organizatat partnerë të cilat monitorojnë komunat e Kosovës, ka bërë një vlerësim për zhvillimet e fundit në komunat e Kosovës të cilat janë duke përfunduar mandatin e tyre.
Në një konferencë për media, këto organizata kanë paraqitur problemet dhe parregullsitë e evidentuara nëpër disa komuna gjatë monitorimit të punës së këtyre institucioneve.
Jetmir Bakija nga KDI ka veçuar disa prej problemeve që janë shfaq në pothuajse se shumicën e komunave si politizimit i arsimit përmes manovrimeve me konkurse për arsimtarë më afër pushtetit dhe mos shpalljen e konkurseve për ri-aplikim të arsimtarëve që mund të perceptohen si të ndonjë partie opozitare (sidomos në Kamenica, Kaçanik, Deçan, Skenderaj, Malishevë).
Po ashtu edhe neglizhenca e shëndetësisë në buxhet për 2014 sidomos në Klinë, Graçanicë, Kamenicë dhe Skenderaj, cilësia e dobët të projekteve të kryera sidomos në Malishevë, Viti, Projekte të lëra në gjysmë dhe ku puna ka ngecur Mitrovicë, Gjakovë, Mamushë), dhënia në shfrytëzim e pronës së komunës jashtë ligjit (Skenderaj, Junik) dhe investimet në prona me kontekste pronësore (Fushë Kosovë) dhe papërgjegjësia e të zgjedhurve si mos raportimi i kryetarit të Deçanit në Asamble Komunale, mos-mbajtja e seancave komunale në Mamushë ashtu si e paraparë me ligj, dhe falja e llaptopëve të komunës asamblistëve në Mitrovicë.
Gjatë monitorimit të Kuvendeve Komunale është evidentuar vendimi i paligjshëm për këmbim të pronës komunale në Skenderaj.
Milazim Mustafa nga OJQ Prehja ka thënë se në mbledhjen e fundit të këtij mandati katër vjeçar, Asambleja Komunale e Skenderajt të mbajtur më 25 shtator në mesin e pikave të rendit të ditës ka qenë edhe pika Propozim-vendim për ndërrimin (këmbimin) e pronës komunale të ngastrës nr 692/35 me pronën private ngastra nr 692/16, Zona Kadastrale në Skenderaj, pikë kjo e cila pas diskutimit është aprovuar nga ana e Kuvendit Komunal me 25 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Sipas tij, me këtë vendim Kuvendi Komunal ka bërë shkelje të Ligjit për dhënie në shfrytëzim dhe këmbim të pronës publike neni 6 pika 3 që thotë se Kuvendi Komunal nuk ka të drejtë të marrë vendime për dhënien në shfrytëzim apo këmbim të pronës publike 6 muaj para skadimit të mandatit të vet.
Po ashtu është evidentuar edhe buxheti i alokuar për një projekt që është përfunduar në Skenderaj.
Vërejtje tjetër serioze në parashikimin e buxhetit për vitet 2015 dhe 2016 janë edhe parashikimet komunale për dy projekte.
Projekti i parë ka të bëjë për Rrugën Makërmal-Likofc për të cilën janë paraparë të shpenzohen 230 mijë euro nga buxheti komunal, ndërsa projekti për këtë rrugë është realizuar dhe shpallur si i përfunduar qysh në vitin 2010 si dhe shumë prej 200 mijë euro e paraparë për segmentin rrugor Likofc- Plluzhinë-Murgë, ndërsa një segment i tillë rrugor nuk ekziston, është thënë më tej në konferencë.
Në raportet e monitorimit është evidentuar edhe çështja e ankesave për pranimin e stafit arsimor në Kamenicë.
Sipas Amir Jakupit nga OJQ Fortesa në Kamenicë, problemet ne arsim kanë të bëjnë si vijon: pranimi i kuadrit, ndarja e orëve për mësimdhënësit, ankesa të shumta në Drejtorinë Komunale të Arsimit, një padi e ngritur nga një mësimdhënës në Gjykatën Supreme, etj.
Ndërkohë, Edona Dauti nga KDI, ka folur për problemet në Kuvendin Komunal të Mamushës.
Ajo ka theksuar mos-mbajtjen e numrit të mjaftueshëm të seancave, mungesën fizike të kryesuesit të Asamblesë për dy muaj, si dhe cilësinë e dobët të ndërtimit të projekteve infrastrukturore.
Gjatë monitorimit të punës së Kuvendeve Komunale janë evidentuara edhe probleme të tjera, sikurse shtrimi i disa rrugëve pa mbikëqyrje të duhur në Malishevë.
Sipas OJQ-ve, rregullimi i infrastrukturës është në dobi të qytetarëve dhe përmirësimit të kushteve më të mira për jete, mirëpo këto investime po bëhen pa mbikëqyrje të duhur, dhe me kushte të dobëta pune, ku edhe dyshojmë se këto projekte po realizohen më së shumti për efekte elektorale.
Në asfaltim e sipër janë edhe rreth dyzet rrugë të tjera, në tërë territorin e Malishevës, diku rreth 44 rrugëve të planifikuara për asfaltim gjatë këtij viti dhe një pjesë në vitin 2014.
Një problem tjetër i evidentuar është edhe mungesa e stacionit të autobusëve në Shtime, i cili nuk parashihet as në 3 vitet e ardhshme. Edhe për kundër parashikimit në Strategjinë e Zhvillimit Ekonomik Lokal 2014 - 2018 ne Shtime si një Projekt i nevojshëm, në Projekt Buxhetin e vitit 2014 dhe as në planin buxhetor për 2015 dhe 2016 nuk është planifikuar të ndodhë.
Në bazë të kësaj gjendjeje buxhetore rasti më i mirë është që në vitin 2017 të nis ky projekt ose nëse bazohemi në Strategjinë ajo së paku gjatë vitit 2018 duhet të jetë e kryer.
Sa i përket projekteve kapitale të pakryera në Gjakovë, në kornizën afatmesme buxhetore nuk janë përfshirë projektet e ndërtimit të disa rrugëve në qytet, rreth-rrotullimi dhe zgjerimi i rrugëve hyrje-daljeve kryesore në qytet. Më konkretisht zgjerimi i dy krahëve të rrugës të daljes për Pejë, dhe zgjerimi i rrugës kryesore për Prizren që janë tejet të ngarkuara.
OJQ-të partnere për këtë nismë janë: Bashkohu Edhe Ti Gjakovë, Elita Viti, Fortesa Kamenicë, Iniciativa Për Zhvillim Lokal - Fushë Kosovë, Klubi i Gazetarëve - Kaçanik, KOHA Klinë, Mundësia Mitrovicë, POLIS- Shtime, Prehja Skenderaj, Shoqata Intelektualëve të Pavarur - Deçan dhe Junik, Srpska Demokratska Omladina Gracanica.