KDI: Pas propozimeve të fundit për Dialogun, Qeveria të mos heshtë
Prishtinë, 20 tetor - Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një dinamikë të re pas intensifikimit të vizitave të emisarëve special nga SHBA-ja dhe BE-ja.
Nga deklarimet e emisarit Gabriel Escobar për përkrahjen e SHBA-ve ndaj të ashtuquajturit propozim ‘franko-gjerman’, tashmë është konfirmuar ekzistenca e një propozimi konkret që u është ofruar palëve për arritjen e një marrëveshje.
Këto dinamika të reja janë duke u karakterizuar nga mungesë e theksuar e transparencës nga institucionet kosovare.
Presidentja dhe Kryeministri i vendit ende nuk janë deklaruar lidhur me përmbajtjen dhe qëndrimin e Kosovës karshi këtyre zhvillimeve dhe propozimeve.
Ndonëse KDI mirëpret iniciativën e Kryeministrit Kurti për zhvillimin e takimeve me liderët e partive opozitare në funksion të konsensusit politik, të njëjtat nuk duhet t’i zëvendësojnë obligimet kushtuese e ligjore të Qeverisë për të raportuar në Kuvend dhe për të informuar publikun.
Prandaj, KDI kërkon nga Qeveria që në kuadër të kompetencave të saj, të kërkojë mbajtjen e një seance parlamentare ku do të trajtoheshin detajisht zhvillimet e fundit në procesin e dialogut, si dhe qëndrimet e Kosovës ndaj tyre.
Në të kundërtën, Kuvendi duhet që të ushtrojë funksionin mbikëqyrës me vetiniciativë, duke e ftuar Kryeministrin në raportim.