17 Janar 2025

KDI: Ministria e Shëndetësisë fsheh dokumentet për tenderët

Prishtinë, 13 qershor- Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) Transparency International Kosova (TIK), ka organizuar një konferencë për media në të cilën janë prezantuar disa probleme në procesin e monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Merita Mustafa, Menaxhere e Projektit për monitorimin e prokurimit publik në KDI, ka thënë se KDI po hasë në vështirësi dhe kufizime  në monitorimin e prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë, për arsye se  kjo ministri qëllimshëm apo dhe për shkak të burokracisë është duke i shkel  të gjitha afatet kohore  për ofrimin e qasjeve në dokumente, Ligjin për Qasje në Dokumente Publike dhe Ligjin për Prokurimin Publik në Kosovë, ligje të cilat njëkohësisht janë mekanizma që  garantojnë transparencë të proceseve tenderuese.

"Madje, edhe për kërkesat të cilat janë miratuar  nga MSH, qasja është e pjesshme, apo selektive  pasi ofrohen vetëm një numër i caktuar  i dokumenteve me të cilat vështirësohet dhe kufizohet  transparenca dhe llogaridhënia për shpenzimin e  parasë publike në këtë sektor", ka theksuar ajo.

Ministria e Shëndetësisë sipas Mustafes gjithashtu ka formuar një komision të kundërligjshëm për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente zyrtare, komision i cili e burokratizon dhe kufizon të drejtën për qasje në dokumente.

Ligji përkatës ka garantuar qasje të lehtë dhe efektive për të gjitha dokumentet të cilat nuk janë të klasifikuara apo sekrete dhe nuk ka paraparë krijimin e asnjë lloj super mekanizimi për të shqyrtuar nëse qytetarët kanë të drejtë ose jo t’i qasen dokumenteve.

Një problem tjetër i ngritur nga KDI ka qenë edhe moslejimi i monitorimit të  komisioneve për vlerësimin e ofertave për tenderët me vlerë të madhe. KDI disa herë  ka bërë kërkesë në Ministrisë së Shëndetësisë për t’i lejuar qasje në cilësinë e vëzhguesit, mirëpo kjo kërkesë është injoruar tërësisht me arsyetimin se për këtë çështje duhet vendim i Ministrit apo Sekretarit të Përhershëm të Ministrisë.

"Duke u nisur nga të gjitha këto fakte të cekura më lart dhe nga vlera e dokumenteve të cilat kanë të bëjnë me tender që kalojnë dhjetëra miliona euro,  KDI vlerëson  se Ministria e Shëndetësisë nuk është transparente dhe duke vështirësuar  qasjen ne dokumente të garantuar me ligj, pengon marrjen dhe analizimin e dokumenteve  të cilat potencialisht  mund të provojnë keq menaxhimin e parasë  publike", ka pohuar Mustafa.

Në anën tjetër Isuf Zejna, hulumtues në këtë projekt, ka folur për problemin e afateve të  shkurtra  për dërgimin e  mallrave,  të cilën Ministria e Shëndetësisë u imponon kompanive private.

Duke pasur një qasje të tillë ajo po  i ndëshkon shumë kompani me gjoba të larta për vonesat në sjelljen e barnave në  institucionet shëndetësore. Duke imponuar afate prej 30 ditësh konsiderojmë se janë afate të shkurtra për kompanitë dhe kompanitë hasin në vështirësi për të bërë furnizimin e duhur në kohën e duhur.

Në vitin 2012, Ministria e Shëndetësisë ka dënuar gjithsejtë 18 operatorë ekonomik me gjithsejtë 38, 028.00 € për gjithsejtë 1375 ditë vonesë për porosi të veçanta.

Gjendje edhe më e keqe ishte në vitin 2011 ku operatorë ekonomik të gjobitur kanë qenë 22 operatorë ekonomik me gjithsejtë 105,113 €.

Si pasojë e kësaj situate shpeshherë ndodhë që spitalet dhe institucionet tjera po mbesin pa barna, e në anën tjetër pacientët po drejtohen drejt barnatoreve private ku po u shiten barnat, të cilat nuk kanë banderola  dhe vijnë nga rrugë ilegale të tregut për barna. Në këtë formë, ka shtuar Zejna, po i hapet rrugë tregut ilegal të barnave, fenomen ky që ka marrë hov në Kosovë.

KDI i bënë  thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe posaçërisht Ministrit Agani që të zhbllokoj ngërçin e krijuar vitin e fundit në këtë ministri, për t’i lejuar rrugë monitorimit të këtij sektori për të cilin edhe vet ministri ka konstatuar se është shumë i korruptuar.

Përmirësimi i gjendjes në këtë ministri nuk mund të bëhet duke qenë të papërgjegjshëm dhe jo transparentë  nga monitorimi i OJQ-ve apo dhe qytetarëve të interesuar për të ju qasur dokumenteve në këtë ministri.

Komisioni për shqyrtimin e  kërkesave për qasje në dokumente zyrtare duhet të shpërbëhet sa më parë, në mënyrë që qasja në dokumente të jetë në përputhje me Ligjin për qasje në dokumente publike.

Afatet e dorëzimit të mallrave (liferimit) duhet të zgjaten nga 30 ditë në 45 për barna dhe nga 45 në 60 ditë për materialet e tjera shpenzuese, për të siguruar që planifikimet e shpenzimit të barnave dhe materialeve janë në përputhje me mundësitë reale të importimit të barnave.

 

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë opinionin se mirëpret bashkëpunimin me shoqërinë civile me qëllim të rritjes të transparencës në punë, por i vlerëson si të paqëndrueshme pohimet nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) për gjoja kufizim të qasjes së tyre në dokumente publike.

MSh sqaron se prej fillimit të monitorimit të prokurimit publik në MSh nga ana e KDI-së, kësaj organizate nuk i është refuzuar asnjë kërkesë për qasje në dokumente publike dhe kjo qasje i është ofruar në pajtim me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike 2010/03-L-215, i cili njeh lejimin e plotë të qasjes, qasje të kufizuar dhe refuzim të kërkesës.

Sa u përket procedurave të prokurimit dhe monitorimit të tyre, Ministria është e obliguar t'i zhvillojë ato në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik , duke përfillur udhëzimet e KRPP-së dhe vendimet e OSHP-së, si organ që bën shqyrtimin e ankesave kur ato parashtrohen.

MSH mirëpret bashkëpunimin me KDI-në dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile edhe në të ardhmen dhe i merr në konsideratë të gjitha ato sugjerime, që ndihmojnë në ngritjen e mëtejme të transparencës së kësaj ministrie në fushën e prokurimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)