KDI mban konferencën online “Viti i Ri, Dialogu i Vjetër?
Prishtinë, 22 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) organizon sot diskutimin “Viti i Ri, Dialogu i Vjetër?” që do të mbahet online në faqen e KDI-së në Facebook.
Në këtë diskutim të ftuar janë kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Bodo Weber bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit (DPC), kryeredaktori i Koha Ditore, Agron Bajrami, si dhe drejtori ekzekutiv i OJQ AKTIV, Miodrag Milićević.
Në këtë takim do të ftohen që të kyçen nga platforma Zoom edhe përfaqësues tjerë të shoqërisë civile dhe partive politike në Kosovë, si dhe ekspertë tjerë të fushës nga Kosova dhe rajoni.
Diskutimi i cili do të fokusohet në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, synon të ofrojë një reflektim mbi zhvillimet rreth këtij procesi gjatë vitit që po lemë pas, dhe të ardhmen e këtij procesi në vitin 2021 duke u fokusuar në zhvillimet e brendshme në Kosovë si dhe në sferën ndërkombëtare.
Disa nga çështje mbi të cilat synohet të pikëvështrime dhe reflektime të pjesëmarrësve janë: Cilat kanë qenë rezultatet e procesit të deritanishëm të dialogut? Cilat janë pritshmëritë nga administrata e re amerikane në raport me dialogun? Cila prisni që do të jetë qasja e kësaj administrate në raport me BE-në – duke u përfshirë drejtpërdrejt në proces apo përafrimi me pozicionin e BE-së? Cila prisni që do të jetë qasja dhe strategjia e vet BE-së drejt arritjes së një marrëveshje përfundimtare? Cilat janë mundësitë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes palëve përgjatë vitit 2021? Për cilat elemente të marrëveshjes do të jetë më i vështirë dakordimi mes Kosovës dhe Serbisë? A ka gjasa të arrihet konsensusi i spektrit politik për dialogun gjatë vitit 2021? Cila është strategjia e Qeverisë për arritjen e konsensusit? Si do të garantohet transparenca e procesit të dialogut?