06 Maj 2024

KDI: Kuvendi spektator i bisedimeve Kosovë - Serbi

Prishtinë, 22 janar  - Instituti Demokratik i Kosovë (KDI)/Transparency International Kosova (TIK) ka mbajtur konferencë për media, ku ka prezantuar Fletënotimin për punën e Kuvendit të Kosovës në gjysmën e dytë të vitit 2012.

Në këtë Fletënotim janë përfshirë vlerësimi individual për secilin deputet, grupet parlamentare, komisionet e Kuvendit dhe të tjera çështje me rëndësi në mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit.

Driton Selmanaj, Menaxher i Programit në KDI, ka thënë se njëra nga temat më të nxehta dhe më  të shpeshta me të cilën po vazhdon të ballafaqohet Kuvendi i Kosovës, është çështja e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, tanimë duke i shtuar edhe një dimension të ri të dialogut, atë politik.

Përkundër që për këtë çështje, po vërehet një gatishmëri e Kryeministrit të vendit për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, megjithatë respektimi i Rezolutës së Kuvendit akoma nuk po bëhet në tërësinë e saj.

Selmanaj ka thënë se Rezoluta e Kuvendit duhet të zbatohet e plotë, e jo në mënyrë të pjesërishme, e sidomos neni 4  i saj i cili thotë se “Kuvendi i Republikës së Kosovës e autorizon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të udhëheqë këtë proces, me pjesëmarrje të Komisioneve të nevojshme të Kuvendit të Kosovës”. Deri më tani komisionet e Kuvendit të Kosovës, kanë mbetur të pa përfshira në procesin e dialogut, shtoi tutje Selmanaj.

Ai më pas tha se, shqetësim i vazhdueshëm, jo vetëm i klasës politike por edhe pjesës tjetër të shoqërisë, ka mbetur fakti i mos përgatitjes së një platforme politike të bisedimeve, ku do të përcaktohej pragu minimal nën të cilën qeveria e Kosovës nuk ka mandat të negociojë me Republikën e Serbisë. 

Duke prezantuar më tutje raportin e KDI-së Selmanaj ka shtuar se kjo periudhë raportuese ka dëshmuar po ashtu se akoma nuk kanë të ndalur praktikat qeveritare për ndërhyrje apo vendosje të diktatit mbi Kuvendin e Kosovës.

Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës (3-4 tetor 2012) ku deputetët e koalicionit qeverisës bojkotuan seancën plenare, si dhe rasti tjetër edhe më i jashtëzakonshëm ku para fillimit të seancës së 18 tetorit, njësitë policore u panë brenda dhe rreth objektit të Kuvendit, pa kërkesën paraprake nga Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit, dhanë mesazhe se demokracia në Kosovë është e rrezikuar dhe po krijojnë imazhin e tendencave për instalimin e kontrollit mbi institucionet legale të shtetit siç është organi më i lartë në vend, Kuvendi i Kosovës, shtoi më tej Selmanaj.

Sipas Selmanajt, çështje tjetër që e ka karakterizuar këtë periudhë raportuese, ka të bëjë me papërgjegjësinë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të ushtruar kompetencat që ua ofron mandati i deputetit.

Vetëm në periudhën korrik-dhjetor, nëntë (9) seanca plenare janë detyruar t’i ndërpresin punimet, për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm, kurse në tetë (8) seanca është dashur të shtyhen pikat e caktuara të rendit të ditës për miratim, pikërisht për shkak të mungesës së numrit të mjaftueshëm të deputetëve.

Të dhëna tjera të prezantuara kishin të bënin edhe me rolin mbikëqyrës të Kuvendit. Kjo periudhë raportuese, është karakterizuar me dy interpelanca parlamentare dhe dy kërkesa për debat parlamentar.

Në seancën e 5 korrikut u zhvillua interpelanca e ministrit Besim Beqaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ndërkaq me 11 tetor, ministri i punëve të jashtme Enver Hoxhaj, ishte thirrë në interpelancë sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së.

Ndërkaq dy debate parlamentare janë realizuar me kërkesë të dy deputetëve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë duhet konstatuar se edhe pse iniciativat e tilla kanë nxitë debat, partitë e koalicionit qeverisës në tri raste kanë arritur që në fund të debatit, me votat e tyre kundër, të mos miratojnë mocionet e ngritura, tha më tej Selmanaj.  

Duke folur për raportet e Kuvendit me Gjykatën Kushtetuese, Selmanaj ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se në tri ligje përmbajtja e tyre është kundër -kushtetuese.

Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetëve, Ligji për Banka, Institucione Mikrofinanciare dhe Institucione Financiare Jobankare, dhe së fundmi edhe Ligji për Shëndetësinë, janë ligjet të cilat Gjykata Kushtetuese i ka trajtuar dhe për të parin ka nxjerrë aktgjykimin ku ka vërtetuar kundër- kushtetutshmërinë, kurse për dy të tjerat ka vendosur masën e përkohshme të pezullimit të disa neneve të kontestuara nga parashtruesit e kërkesës. 

Në anën tjetër, Isuf Zejna analist në KDI, ka vlerësuar se krahasuar me gjashtëmujorin e parë, dinamika e punës së komisioneve ka pësuar rënie të ndjeshme, pasi komisionet parlamentare, këtë gjashtëmujor kanë mbajtur 71 mbledhje më pak sesa në gjashtëmujorin e parë.

Ndërsa për realizimin e Programit të punës së Kuvendit, Zejna ka deklaruar se, në planin e vet të punës Kuvendi i Kosovës ka paraparë miratimin e 122 projektligjeve për këtë vit. 62 projektligje janë miratuar në të dy leximet, ndërsa 36 projektligje kanë kaluar vetëm leximin e parë, të pa trajtuara kanë mbetur 24 projektligje.

Për dallim nga viti i kaluar Kuvendi ka miratuar, 3 projektligje më pak në leximin e dytë, ndërsa 14 më shumë në leximin e parë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)