KDI: Kuvendarët e Mamushës, vetëm 15 pyetje ndaj ekzekutivit
Mamushë, 2 shkurt - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 15 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Mamushës dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Korrik-Dhjetor 2014.
Sipas publikimit të KDI-së anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Mamushës janë: Abdülhadi Krasniç (KDTP) me 37.6 % Halim Sadiku (PDK) me 14.9 % dhe Mehmet Mazrek (KTAP) me 14.5 % të vlerësimit të përgjithshëm.
Anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultat në të gjitha kategoritë janë: Çamil Mazrek (KTAP) me 0.0 % dhe Necmedin Morina (KTAP) me 0.0 % ndërsa Ecevit Mazrek (KDTP) nuk ka treguar asnjë rezultat dhe ka munguar në njërën nga seancat e mbajtura në këtë periudhe duke treguar rezultat tejet të dobët me - 0.1 % të notimit të përgjithshëm.
Gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mamushës janë ngritur gjithsej 75 çështje, prej të cilave 67 % nga fushat me interes për qytetarët e Komunës së Mamushës ndërkaq 33 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të kësaj komune.
Nga të dhënat del se anëtarët e KDTP-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 48.0 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e KTAP-së me 26.7 % ndërsa Abdülhadi Krasniç (KDTP) ka numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me 36 % të pasuar nga Mehmet Mazrek (KTAP) me 14.7 % dhe Halim Sadiku (PDK) me nga 16 % të çështjeve të ngritura.
Gjatë gjashtë mujorit të dytë të këtij viti nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Mamushës janë ngritur gjithsej 15 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune, ku 54 % kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Mamushës ndërsa 46 % nga fusha me interes për qytetarët e Mamushës.
Anëtarët e KDTP-së në Kuvendin e Komunës së Mamushës prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me nga 60 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e KTAP-së me 26.7 % të pyetjeve të përgjithshme. Anëtari më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Mamushës është: Abdülhadi Krasniç (KDTP) me 60 % , Mehmet Mazrek (KTAP) dhe Halim Sadiku (PDK) me nga 13.3 % të pyetjeve të përgjithshme.
Qëllimi i publikimit është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave në këtë periudhë, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.
Fletënotimi për periudhën Korrik-Dhjetor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).