KDI: Kosova ngec në luftë kundër korrupsionit
Prishtinë, 13 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) ka mbajtur një konferencë për media, me çrast ka publikuar një raport rreth Studimit të Fizibilitetit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Sipas përfaqësuesve të KDI-së, Studimi i fizibilitetit i publikuar tri ditë më parë nga Komisioni Evropian thekson shumë qartë se Kosova ka nevojë për rezultatet konkrete në luftë kundër korrupsionit dhe jo vetëm fjalë dhe deklarata boshe. KDI thekson se studimi i fizibilitetit duhet të lexohet drejtë dhe kjo për të mos u mbyll sytë qytetarëve duke u thënë se është ndezur dritë e gjelbër për proceset integruese.
KDI ka vlerësuar se vendin tonë e presin sfida dhe detyra të shumta. Për ne, ky studim dhe porosia për ta luftuar korrupsionin do të thotë se na presin detyra jo të lehta, të cilat do të jenë shumë të vështira për tu realizuar, për shkak të vet involvimit të politikanëve në afera korruptive, ka thënë Merita Mustafa nga KDI në konferencën për media.
Sipas KDI-së, rezultatet konkrete në këtë drejtim nuk po arrihen, ngase realitetit tregon se ende ka mungesë të vullnetit politik të bartësve të institucioneve, mungesë të pavarësisë së institucioneve kompetente, rekrutim të stafit mbi baza të nepotizmit, si dhe kapacitete të dobëta të institucioneve përgjegjëse për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.
Për të dëshmuar më tej mungesën e qasjes serioze të qeverisjes aktuale për të adresuar si duhet problemin e korrupsionit dhe krimit te organizuar, flet edhe paaftësia e saj për të draftuar një Strategji gjithëpërfshirëse dhe efektive kundër korrupsionit, për të cilën gjë edhe KE kërkon draftimin e një strategjie të re."
"Po ashtu rast tjetër që e konstaton se Qeveria nuk ka vullnet të mjaftueshëm për ta luftuar korrupsionin, është edhe procedimi dhe miratimi në parim i projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale, i cili me përmbajtjen aktuale, jo vetëm që nuk e lufton krimin dhe korrupsionin, por e legjitimon atë duke i amnistuar të gjithë ata të cilët kanë arritur pasuri të mëdha në mënyrë të paligjshme, ka thënë Mustafa.
Sipas saj, sot më shumë se kurrë, Kosova ka evidencë të raporteve kredibile, vendore dhe ndërkombëtare në të cilat përshkruhet si një vend me prani të madhe të krimit të organizuar , të korrupsionit të nivelit të lartë dhe të krimit ekonomik.
Për shkak të paaftësisë së institucioneve tona për tu ballafaquar me këto fenomene, ajo ka deklaruar se Kosova tanimë rangohet në mesin e shteteve më të korruptuara në botë, me një ambient shumë të vështirë për të bërë biznes, si një shtet me mungesë të theksuar të sundimit të ligjit dhe me një shkallë të lartë të papunësisë.
KDI thekson se nuk mund të flitet për rezultate konkrete dhe adresim të drejtë të problemit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, përderisa ka mungesë të transparencës dhe llogaridhënies në vendimmarrje, përderisa vet zyrtarët e lartë të qeverisë përfshihen në vepra korruptive, përderisa kemi shkelje të vazhdueshme të ligjit për prokurimin publik.
Po ashtu ky fakt forcohet kur ka mungesë të mbrojtjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përderisa vet gjyqtarët dhe prokurorët refuzojnë të merren me rastet e korrupsionit të profilit të lartë, si dhe përderisa ka bllokim të qasjes në dokumente zyrtare.
Për shkak se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është porosi e qartë nga Komisioni Evropian dhe pengesë kryesore për zhvillimin e vendit tonë, ajo duhet të jetë prioritet i Qeverisë , e cila për të pasur sukses do të duhej të ndërmerrte këto veprime:
· Të krijoj një strategji të re dhe plan të ri kundër korrupsionit
· Të siguroj mjete të mjaftueshme financiare për të bërë reformat e nevojshme në sistemin e drejtësisë, organet e sundimit të ligjit dhe administratën publike
· Të krijoj dhe forcoj mekanizmat për zbatimin e ligjeve anti-korrupsion
· Të ndryshoj ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duke u bazuar në rekomandimet e shoqërisë civile
· Si dhe të ndërmarr masa të tjera, për të siguruar pavarësinë e plotë të institucioneve të pavarura për të rikthyer besimin e qytetarëve.