KDI: Komuna e Suharekës çalon më shumë në transparencën e financave lokale
Prishtinë, 23 tetor - Instituti Demokratik i Kosovës ka vazhduar me aktivitetet avokuese për përmirësimin e indikatorëve të transparencës komunale.
Tryeza me aktorët kyç në nivel komunal për të diskutuar transparencën komunale sot u mbajt në Komunën e Suharekës dhe qëllim në vete kishte ndikimin në përmirësim të performancës komunale në katër shtyllat e vlerësimit.
Nënkryetari i Komunës z. Rexhep Kuqi në fillim të kësaj tryeze potencoi rendësin e transparencës në nivel komunal dhe duke ju referuar të gjeturave të KDI-s ai theksoi se e përgjithshmja është afër mesatares megjithatë ka hapësirë për shumë përmirësime. Ky rezultat mund të jetë edhe për shkak të kufizimit të numrit të angazhimit të stafit plotësues në zyrën e informimit sidomos të mungesës së zyrtarit në plasimin e dokumenteve në ueb faqen e komunës.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës z. Refki Gega tha se mungesa e vlerësimit të disa indikatorëve rreth punës dhe transparencës së kuvendit të komunës janë më tepër çështje teknike që duhet të reflektojmë me qëllim të përmirësimit. Sektorët e caktuar duhet të rrinë në koordinim të vazhdueshëm për të mos dal keq në transparencën komunale. Si kuvend, ky dokument do të na shërben si udhëzues në mbikëqyrjen e transparencës në ekzekutivin e komunës.
Bexhet Kuçi, drejtor për ekonomi dhe financa tha se me qytetarët jemi transparentë, ne organizojmë shumë takime publike për buxhetin por qytetarët nuk i përgjigjet shumë takimeve. Çështja e mos publikimit të raporteve financiare është me tepër çështje teknike ngase në asamble janë diskutuar. Ne do të përmirësojmë edhe këtë indikatorë në publikimin e raporteve financiare dhe borxheve komunale edhe ne ueb faqen e komunës.
Reshat Reshitaj, zyrtarë për informim në komunën e Suharekës nuk është pajtuar me vlerësimin, duke aloduar në shkaqe teknike në indikatorët vlerësues përmes ueb faqes megjithatë ai pohoi faktin se shumë indikatorë janë plotësuar dhe do të vazhdojmë ti plotësojmë.
Adrian Kotorri, anëtarë i Kuvendit të Komunës së Suharekës nga radhët e AAK-së vuri theksin tek mungesa e raportimit të Kryetarit në Kuvend për gjashtë-mujorin e parë të këtij viti si dhe mos diskutimi i raportit të Auditorit në Kuvend. Ai pohoi se duhet të ketë angazhim më të madh në transparencën financiare.
Ndërkaq, Komuna e Suharekës gjatë periudhës janar-qershor 2015 është vlerësuar me mungesë të theksuar të transparencës komunale duke arritur vetëm 34.1% të vlerësimit të përgjithshëm në katër shtyllat e vlerësimit: Zyra e Kryetarit, Kuvendi i Komunës, Financat Komunale dhe transparenca në Konsultime me Publikun (secila nga katër shtyllat përmban nga 11 indikator). Në këtë periudhë komuna e Suharekës ka qëndruar më dobët në transparencën e financave duke arritur vetëm 5 pikë nga 35 të mundshme.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). Pjesëmarrës në këtë takim ishin: Kryesuesi i Kuvendit, Nënkryetari i Komunës, anëtarë të Kuvendit të Komunës së Suharekës, përfaqësues të ekzekutivit komunal.