KDI kërkon zgjidhje të shqetësimeve të qytetarëve të Prizrenit
Prishtinë, 25 shtator - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka organizuar një konferencë për media ku ka adresuar shqetësimet e qytetarëve të rajonit të Prizrenit.
Naim Cahanaj tha se KDI ka 6 muaj që në mbështetje të Ambasadës Amerikane ka filluar implementimit e Projektit Përfshirja e komunitetit lokal në vendimmarrje, ku ka realizuar 12 takime me qytetarët e të gjitha qyteteve të rajonit të Prizrenit.
Qëllimi i këtyre takimeve ka qenë identifikimi i problemeve dhe shqetësimeve që janë preokupimi i qytetarëve që jetojnë në rajonin e Prizrenit.
Cahanaj ka theksuar se një nga shqetësimet dhe probleme më të mëdha të qytetarëve është gjendja e rëndë e shtratit të lumit Drin, si rezultat i eksploatimit të egër dhe kundërligjshëm të zhavorrit nga qytetarë dhe kompani të papërgjegjshme.
Procesi i privatizimit dhe efektet e dëmshme të këtij privatizimi. Mos realizimi i të drejtave (për kompensim) të ish punëtorëve të fabrikave të privatizuara.
Qasja tejet neglizhuese e institucioneve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, ndaj pasojave vdekjeprurëse që po shkaktohen nga pickimi i rriqrave që ndryshe njihen edhe me emrin si Ethe Hemoragjike Krime Kongo.
Mos definimi i kompetencave të kryesive të fshatrave. Kërkesë e udhëheqësve të fshatrave për tu normuar të drejtat dhe kompetencat e tyre.
Po ashtu sipas Cahanajt edhe zbutja e kritereve për Subvencione në bujqësi, për bujqit e rajonit të Prizrenit. Kriteret e përcaktuara nga ana e Ministrisë së Bujqësisë, kanë dëmtuar në masë të madhe sidomos bujqit që kanë hapësira jo të mëdha të tokave bujqësore. Kjo ka diskriminuar bujqit e varfër.
Regjistrimi i mjeteve Bujqësore. Obligimi për regjistrimin e për çdo vit të mjeteve motorike bujqësore, ka rënduar bujqit që të vetmin burim ekzistence kanë punën në tokën bujqësore.
Gjendja e rëndë e pyjeve si rezultat i prerjeve ilegale nga persona të papërgjegjshëm si dhe neglizhenca e institucioneve kompetente në mbrojtjen dhe parandalimin e pyjeve.
Mospuna e ndërmarrjeve publike në ofrimin e shërbimeve për qytetarë. Qytetarët e rajonit të Prizrenit shprehin shqetësim mbi kualitetin e ofrimit të shërbimeve nga ana e ndërmarrjeve publike që operojnë në këtë rajon.
Andaj KDI, kërkon nga institucionet kompetente shtetërore që të reflektojnë karshi shqetësimeve dhe problemeve të qytetarëve të rajonit të Prizrenit, me qëllim qytetarët e kësaj pjese të Kosovës ta ndiejnë dorën e shtetit me qëllim të krijimit të kushteve për një jetë më mirë dhe më të dinjitetshme për qytetarët e këtij rajoni.
KDI vlerëson se roli dhe fuqia përfaqësuese e institucioneve shtetërore do të ishte e pakuptimtë, në rast se ato nuk janë në shërbim të qytetarëve dhe për qytetarët- ka përfunduar Cahanaj.
Ky aktivitet është ndërmarrë në kuadër të projektit Përfshirja e komunitetit lokal në vendimmarrje projekt ky i mbështetur nga Ambasada Amerikane në Kosovë