KDI kërkon krijimin e Gjykatës Speciale kundër korrupsionit
Prishtinë, 18 maj - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), sot mbajti një konference për media në lidhje me rolin e Parlamentit në luftën kundër korrupsionit, Raportin vjetor të Agjencisë Kundër-Korrupsion, Strategjinë Kundër Korrupsionit dhe deklarimin e pasurisë se zyrtareve te lartë publik.
Pas shqyrtimit të raportit të fundit të Agjencisë Kundër-Korrupsion , KDI shpreh shqetësimet e saja për rezultatet dhe efektet minore të kësaj agjencie në luftën kundër korrupsionit. Sidomos shqetësues, mbetet fakti i numrit të vogël të rasteve të cilët përfundojnë me prova, respektivisht procesim gjyqësorë të personave të korruptuar:
Të dhënat në këtë raport dëshmojnë se; impakti i kësaj Agjencisë Kundër Korrupsion tek organet e ndjekjes është simbolik, e që përfundon me gjithsejtë 6 arrestime të zyrtareve publik që nga funksionalizimi i saj.
Një element tjetër i cili po ashtu e vë në pikëpyetje punën e Agjencisë kundër korrupsion dhe pavarësinë e saj është, anashkalimi dhe mos-verifikimi i pasurisë së zyrtareve publik brenda dy institucioneve kryesore të shtetit, Qeverisë dhe Gjyqësorit, të cilat njëkohësisht edhe dyshohen se janë dy prej segmenteve më të korruptuara të shtetit tonë.
Sipas të njëjtit raport, verifikimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë sipas detyrës zyrtare të AKK-së (ex-officio) për vitin 2011, është bërë si në vijim:
Nga gjithsejtë 7 Zyrtar të Lartë Publik (ZLP) të Presidencës sa kanë qenë të obliguar për ta deklaruar pasurinë , verifikimi i pasurisë është bërë për të gjithë, nga Kuvendi 124 të obliguar, të gjithë të verifikuar, Qeveria 871 të obliguar, vetëm 54 të verifikuar, Gjykatat 257 të obliguar , vetëm 4 të verifikuar, Institucionet e Pavarura 220 të obliguar asnjë i verifikuar, Komunat e Kosovës 158 të obliguar të gjithë të verifikuar dhe ndërmarrjet publike 193 të obliguar, të gjithë të verifikuar.
Në anën tjetër, edhe përkundër këtyre fakteve , Kuvendi i Kosovës edhe pse është organi më i lartë shtetëror, i cili duhet të jetë edhe zëri i qytetarëve vazhdon të tregoj një indiferencë ndaj këtij raporti dhe këtyre të dhënave, duke e aprovuar dhe duke e shqyrtuar atë në prani të një Ministri të vetëm , ndërkohë që diskutimi është bërë vetëm në emër të Grupeve Parlamentare.
Ky rast dëshmon edhe njëherë se; lufta kundër korrupsionit në vendin tonë është vetëm një parullë politike dhe asgjë më shumë.
KDI po ashtu, shpreh brengat e saja për Strategjinë dhe Planin Kundër Korrupsionit 2012-2016, i cili edhe pse konsiderohet si dokumenti me i rëndësishëm strategjik në luftën kundër korrupsionit, ai vazhdon të hartohet me shumë mangësi, dhe si i tillë nuk miratohet as nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Njëjtë sikurse edhe në hartimin e strategjive të mëparshme kundër korrupsionit, edhe kjo e fundit vazhdon të ketë një qasje gjithëpërfshirëse, mungesë të studimit dhe hulumtimit përmbajtjesor të nivelit të korrupsionit, natyrës së tij si dhe shkaqeve të përhapjes së tij. Si rrjedhojë, KDI konsideron se Strategjia Kundër korrupsionit është vetëm një dokument retorik dhe e cila nuk mund të ndikoj aspak në mënjanimin e dukurive korruptive.
Kjo situatë, na dëshmon edhe njëherë se; vullneti i parlamentit dhe i qeverise për tu përballur me ketë fenomen është in-ekzistent , duke i bërë këto të fundit të ndihen komode edhe atëherë kur nuk bëjnë asgjë!
Gjithashtu, si pasoje e këtij mosinteresimi nga ana e institucioneve përgjegjëse ,konsiderojmë se; vendi ynë është duke shkuar gradualisht në fazën ku, korrupsioni shndërrohet në kulturë, dhe ku krimi i organizuar gjen strehim tek organet shtetërore përmes këtij fenomeni.
Ndërsa, për te dal nga kjo situate, KDI si alternative të vetme e sheh ekzistimin e vullnetit politik i cili mund të shndërrohet në veprime konkrete kundër korrupsionit, e që përfshijnë: kompletimin e ligjeve anti-korrupsion, me theks të veçantë aprovimin e ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, krijimin e një strategjie e cila do te adresonte drejtë nivelin dhe shkaqet e korrupsionit, si dhe krijimin e një Gjykate Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar.