KDI: Jo situatave tensionuese brenda Kuvendit të Malishevës
Prishtinë, 12 qershor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin për mbarëvajtjen e punës së mbledhjes së fundit të Kuvendit të Komunës së Malishevës.
Në seancën e fundit të këtij institucioni, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) si monitoruese e Kuvendit të Komunës ka vrojtuar dhe analizuar situatën e krijuar duke hasur ne mos respektim të Rregullores së punës së Kuvendit, si nga ana e kryesuesit por edhe nga ana anëtarëve të saj, përdorimi i gjuhës jo parlamentare, përdorimi i tonëve kërcënuese në mes të anëtarëve si dhe ndërhyrjet e drejtorit të ekzekutivit me fjali fyese karshi kuvendarit nga radhët e LVV-së.
Duke parë zhvillimet e fundit në këtë institucion, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shpreh shqetësimin e saj duke i bërë thirrje Kryesuesit të Kuvendit të Komunës, anëtarëve të këtij institucioni dhe drejtorëve të dikastereve të qeveris lokale, të ju përmbahen Rregullores së punës së Kuvendit dhe të mos krijojnë situata tensionuese brenda institucionit që është i thirrur të mbrojë interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Komunës së Malishevës.
Tendencat që Kuvendin e Komunës si institucion më i lartë i vetëqeverisjes lokale ta kthejnë në një institucion me atmosferë tensionuese dhe kërcënuese asesi nuk i kontribuon zhvillimit të demokracisë në nivel lokal dhe paraqet një reflektim tejet negativ tek qytetarët e komunës së Malishevës andaj KDI kërkon nga institucionet vetëqeverisëse lokale që në punën e tyre të reflektojnë interesin qytetarë e asesi këto institucione të jenë arenë për sqarim hesapesh dhe interesa personale.