KDI: Hedhja e gazit lotsjellës është cenim i demokracisë
Prishtinë, 9 gusht - Instituti Demokratik i Kosovës ka deklaruar se rikthimi i veprimeve jo parlamentare siç është hedhja e gazit lotsjellës për të ndërprerë punën e komisionit parlamentar, në këtë rast Komisionit për Punë të Jashtme, është cenim i demokracisë dhe jetës parlamentare.
\"U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve dhe subjekteve politike që të ushtrojnë të drejtat e tyre parlamentare dhe të mos cenojnë të drejtën e asnjërit deputet për të ushtruar mandatin dhe përgjegjësitë kushtetuese për të cilat janë të zgjedhur\", thekson KDI.
Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është një marrëveshje e cila pasi ka kaluar nëpërmes kundërshtimeve dhe argumentimeve pro dhe kundër, sipas KDI-se duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë, qoftë për tu ratifikuar apo dhe për tu hedhur poshtë si marrëveshje e pavlefshme.
\"Procedimi i marrëveshjes me procedura të përshpejtuara është i panevojshëm, ndërsa deputetëve e komisioneve duhet tu lihet kohë e mjaftueshme në dispozicion për të trajtuar me hollësi këtë marrëveshje.\"
\"Kuvendi është organi më i lartë vendimmarrës që vendos për marrëveshjen, dhe asnjëri deputet ose grup politik nuk ka të drejtë të pengojë vullnetin e asnjërit nga deputet tjerë për të votuar pro apo kundër kësaj marrëveshje.\"
\"Përdorimi i veprimeve jo parlamentare dhe ashpërsimi situatës politike mund të prodhojë dhunë dhe të provokojë tensione të reja. Prandaj ne bëjmë thirrje të gjithë deputetëve që të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe veprimet e tyre të jenë komfor rendit juridik dhe kushtetues, në bazë të cilit dhe janë zgjedhur\", thekson në fund KDI.