KDI dhe Ec Ma Ndryshe dënojnë ashpër veprimet kriminale
Prizren, 10 nëntor - Denoncimi nga ana e kryetares së NDS-së, Emilija Rexhepi në lidhje me rrëmbimin dhe më pas lirimin e vajzës së saj, me qëllim të kanosjes, paraqet një ngjarje që ka ngjallë shqetësim serioz te organizatat e shoqërisë civile në Prizren.
Sipas deputetes Rexhepi rrëmbyesit me këtë akt i kanë kërkuar vajzës së saj që ti përcjellë porosi të ëmës që të ketë kujdes se çfarë po bënë, duke e kërcënuar me pasojat që mund ti bartë në rast të ndryshimit të bindjeve të saja politike.
E gjithë kjo ngjarje sipas saj ka ndodhur një ditë pas mosmarrëveshjeve që subjekti politik NDS, ka pasur me partnerin e koalicionit PDK-në në qeverisjen lokale në Prizren.
KDI dhe Ec Ma Ndryshe dënojnë ashpër veprimet kriminale të shprehura në formë të kërcënimeve dhe shantazheve për shkak të bindjeve politike. Politika dhe pushteti duhet të ndahen dhe të distancohen nga kjo formë e veprimit. Gjithashtu, shprehemi të shqetësuar me mungesën e reagimit shoqëror karshi këtij rasti të kanosjes dhe rrëmbimit të një vajze të pafajshme.
Ju bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin këtë rast, dhe të shqiptojnë dënimin meritor. Veprimet e tilla kërcënuese dhe kriminale për arritje të qëllimeve politike nuk guxojnë të jenë pjesë e jetës tonë institucionale.