KDI: Aksioni i EULEX-it tash heshtje institucionale
Prishtinë, 05 maj - Misioni i EULEX-it ditë më parë mori një aksion, duke bastisur Ministrinë e Transportit dhe Post-telekomunikacionit, si dhe pronat e ministrit Fatmir Limaj, për hetime rreth dyshimeve për korrupsion.
Zhvillimi i ngjarjeve të cilat bëhen, kanë për qëllim luftën kundër korrupsionit dhe shkojnë në funksion të shtetit ligjor ku pamundësohet të qenit mbi ligjin, këto janë zhvillime në përputhje me të priturat qytetare për të pasur një shtet funksional me një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.
Megjithatë, në dy tre vitet e fundit është bërë normale të shohim fotografi jo të mira për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, të cilat pasojnë me mbyllje të informacioneve dhe për pasoj publiku mbetet i painformuar për rezultatet e këtyre zhvillimeve.
Zhvillimet të cilat vlen të përmenden edhe sot, e që janë një enigmë për shoqërinë kosovare: rasti i ngjarjeve të 10 shkurtit, vjedhjet në dhomën e dëshmive në polici, rasti Bllaca, rasti i kontrabandës nga ana e policëve të EULEX-it dhe tani ky i fundit, rasti Limaj, të gjitha këto janë një pasqyrë jo e mirë për politikën, për institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe krejt në fund për imazhin e shoqërisë kosovare.
Për KDI-në, këto janë ngjarje që shoqëria kosovare po i përjeton si zhytje në krizë të lartë të nivelit politik dhe institucional.
KDI konsideron se edhe pas gjithë këtyre zhvillimeve, kemi heshtje institucionale, mungesë të informatave dhe reagimeve të nevojshme politike e institucionale dhe si pasojë, shoqëria kosovare është e zhytur në një terr informativ institucional.
Të qenurit zyrtar i lartë i vendit nuk është vetëm privilegj, por është edhe përgjegjësi ndaj zgjedhësve, prandaj, politika dhe institucionet duke heshtur nuk krijojnë mbështetje dhe hapësirë për funksionim të shtetit ligjor, përkundrazi ato krijojnë ambient pasigurie, krijojnë ndjenjën e një shoqërie ku nuk funksionon shteti ligjor.
Duke pasur parasysh këto zhvillime, KDI kërkon nga institucionet vendore e ndërkombëtare më shumë përgjegjësi dhe funksionalitet në mënyrë që të garantohet sundimi i ligjit. Po ashtu kërkojmë nga krerët institucional që të jenë më transparent dhe të kenë qëndrime institucionale për qytetarët në situata të tilla.
EULEX-i do të duhej që rastet e rëndësisë së veçantë ti trajtoj me prioritet të veçantë dhe mos të kemi fillime të hetimeve të rasteve dhe mos të kemi asnjëherë përfundim të tyre. Fillimi i proceseve të hetimeve dhe mos-përfundimi i tyre, do të dëmtonte rëndë imazhin - edhe ashtu të zbehur të EULEX-it, e që një gjë e tillë, më së paku i duhet në këto momente.