KDI: 53 për qind e çështjeve të ngritura me karakter procedural
Suharekë, 29 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes një komunikate për media ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 31 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Suharekës dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Qershor 2014.
Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Suharekës në periudhën Janar-Qershor 2014, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.
Sipas KDI-së anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë: Leonrad Shala (LVV) me 17.3 %, Nadire Hoxha (AAK) me 12.3 % dhe Bajram Tershani (PD) me 7.7 % derisa Violetë Zeqiraj (LDK) dhe Reshat Selimaj (AAK) gjatë kësaj periudhe nuk kanë treguar asnjë rezultat dhe janë vlerësuar me 0.0 % të notimit të përgjithshëm.
Gjatë kësaj periudhe në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë ngritur gjithsej 102 çështje, prej të cilave 47 % nga fushat me interes për qytetarët e Suharekës ndërkaq 53 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës.
Anëtarët e AAK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me 26.5 %, të përcjellë nga anëtarët e LDK-së me 24.5 % të çështjeve të ngritura derisa Leonard Shala (LVV) ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me gjithsej 17.6 % i përcjellë nga Nadire Hoxha (AAK) dhe Bajram Tershana (PD) me nga 12.7 % përkatësisht 7.8 të çështjeve të ngritura.
Sa i përket pyetjeve të bëra nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës drejtuar ekzekutivit komunal, në këtë periudhë janë bërë gjithsej 63 pyetje, nga të cilat 37 % kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës dhe 63 % kanë qenë të lidhura me interesin e qytetarëve të kësaj komuna.
Anëtarët e PDK-së prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me 38.1 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LVV-së me 22.2 % të pyetjeve të përgjithshme derisa anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në këtë periudhë kanë qenë Leonard Shala (LVV) me 17.5 % dhe Florije Bytyqi (PDK) me 12.7 % të pyetjeve të përgjithshme.
Anëtarët e AAK-së në Kuvendin e Komunës së Suharekës në këtë periudhë kanë shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në diskutime në seancat e mbajtura me 28.3 % të diskutimeve të përgjithshme të pasuar nga anëtarët e PDK-së dhe LDK-së me nga 20.2 % të diskutimit të përgjithshëm.
Nadire Hoxha (AAK) dhe Leonrad Shala (LVV) kanë shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në diskutime lidhur me pikat e rendit të ditës në seancat që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe me nga 14.7 % të diskutimeve të përgjithshme.
Në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Suharekës gjatë periudhës Janar-Qershor 2014 ky institucion nuk ka shqyrtuar apo miratuar ndonjë Rregullore komunale. Krahas kësaj, Leonrad Shala (LVV) ka propozuar inicimin e ndryshimit të Rregullores komunale për ndarjen e bursave, Rregulloren për hapësirat e pyllëzuara derisa Bajram Tershani (PD) ka propozuar inicimin e hartimit të Rregullores komunale për mirëmbajtjen e higjienës së qytetit.
Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).