KDI: 15 raste të mungesës në seanca dhe katër anëtarë pa gojë
Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Rahovecit në periudhën Janar-Qershor 2014, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.
Sipas KDI-së anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë: Fatmir Iska (AAK) me 11.4 %, Florije Boshnjaku (AAK) me 11.3 % dhe Nahit Elshani (LDK) me 8. 9. % derisa Florida Krasniqi (PDK), Qendresa Kryeziu (AAK), Arsim Kastrati (LDK), Minavere Hoti (LVV) gjatë kësaj periudhe nuk kanë treguar asnjë rezultat dhe janë vlerësuar me 0.0 % të notimit të përgjithshëm.
Gjatë kësaj periudhe në Kuvendin e Komunës së Rahovecit janë ngritur 143 çështje, prej të cilave vetëm 43 % ishin të ndërlidhura me interes për qytetarët ndërkaq 57 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit.
Anëtarët e AAK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 40.6 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 24.5 % të çështjeve të iniciuara. Lidhur me inicimin e çështjeve të ngritura, në këtë periudhë Fatmir Iska (AAK) dhe Florije Boshnjaku (AAK) kanë shënuar numrin më të lartë të çështjeve me nga 13.3 % të çështjeve të përgjithshme.
Sa i përket pyetjeve parlamentare, nga ana e anëtarëve të këtij institucioni janë parashtruar gjithsej 83 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune dhe nga këto 58 % ishin nga fushat me interes për qytetarët e Rahovecit ndërkaq 42 % e pyetjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Rahovecit.
Anëtarët nga radhët e AAK-së në në këtë periudhë prijnë me numrin e pyetjeve të bëra me 38.6 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e PDK-së me 20.0 % të pyetjeve të përgjithshme. Më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Rahovecit ishin Xhihad Vuçitërna (PD) me 16.9 % dhe Florije Boshnjaku (AAK) me 10.8 të pyetjeve.
Në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Rahovecit gjatë periudhës Janar-Qershor 2013 ky institucion ka shqyrtuar Rregulloren e Punës së Kuvendit të Komunës, Rregulloren e vendosjes së objekteve të përkohshme në komunën e Rahovecit si dhe Statutin e Komunës se Rahovecit.
Krahas kësaj, gjatë kësaj periudhe Nahit Elshani (LDK) ka propozuar inicimin e dy rregulloreve komunale: Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave dhe Rregulloren për mirëmbajtjen e kanalizimeve dhe Fatmir Iska (AAK) ka propozuar inicimin e Rregullores për shpenzimet e varrimit.
Gjatë kësaj periudhe është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca, ku janë shënuar 15 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e Kuvendit të Komunës së Rahovecit.
Fletënotimi për periudhën Janar-Qershor 2014 është përgatitur në kuadër të projektit Përfshirja e qytetarëve për transparencë dhe llogaridhënie projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC).