KCSF shpreh brengën e thellë për Projektligjin për Amnisti
Prishtinë, 4 korrik - Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) shpreh brengën e thellë rreth përmbajtjes dhe mënyrës së procedimit të Projektligjit për Amnisti, i cili është paralajmëruar të shqyrtohet në Kuvendin e Kosovës më 4 korrik 2013.
Kushtetuta e Republikës e Kosovës obligon të gjitha institucionet shtetërore që të garantojnë të drejtën e secilit për të ndikuar në mënyrë demokratike në vendimet e organeve publike (Neni 45 i Kushtetutës).
Rregullorja e Punës së Qeverisë obligon Qeverinë që gjatë hartimit të ligjeve të konsultojë të gjitha institucionet tjera publike, organizatat jo qeveritare dhe publikun e gjërë, duke ju dhënë atyre informata dhe kohë të mjaftueshme në një formë të kuptueshme për ti mundësuar të gjithëve që të kuptojnë natyrën dhe pasojat e propozimit (Neni 7 dhe Neni 32 i Rregullores së Punës së Qeverisë).
Periudha minimale për konsultim është 15 ditë pune, periudhë kjo e cila mund të zgjatet nëse një gjë e tillë konsiderohet e arsyeshme për shkak të natyrës së projektligjit (Neni 7 i Rregullores së Punës së Qeverisë).
Periudha e konsultimit mund të shkurtohet apo të përjashtohet vetëm në rastet e emergjencave shtetërore dhe shmangies së rrezikut ndaj publikut, dhe atë vetëm kur Ministri propozues zyrtarisht sqaron natyrën e emergjencës dhe Kryeministri e miraton një kërkesë të tillë (Neni 33 i Rregullores së Punës së Qeverisë).
Në rastin e Projektligjit për Amnisti, i cili është propozuar nga Ministria e Drejtësisë dhe aprovuar nga Qeveria e Kosovës më datë 25 qershor 2013, KCSF e as opinioni i gjerë publik nuk janë informuar se është zbatuar ndonjëra nga procedurat e mësipërme, dhe si rrjedhojë konstaton që asnjëra nga obligimet e mësipërme nuk janë respektuar.
Gjatë prezantimit të këtij Projektligji në takimin e Qeverisë të datës 25 qershor 2013, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi ka shprehur gatishmërinë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të marrë pjesë në sqarime publike dhe me grupet parlamentare të partive politike në Kuvendin e Kosovës veç e veç.
Përveç zhgënjimit që kjo gatishmëri deklarative nuk është zbatuar në praktikë, KCSF shpreh brengën e thellë që kjo gatishmëri është shprehur vetëm pasi që Projektligji për Amnisti është miratuar nga Qeveria, e jo gjatë fazës së hartimit të tij ashtu siç kërkohet nga Rregullorja e Punës e Qeverisë. KCSF thekson që edhe po të ndodhte, sqarimi publik i tillë do të mund të konsiderohej vetëm si përmbushje e obligimit për informim publik, e asesi si ndonjë formë e konsultimit publik.
Edhe po të trajtohej Projektligji për Amnisti në kuadër të procedurës për raste të jashtëzakonshme, përveç që procedura e tillë nuk është respektuar, KCSF vlerëson që ky Projektligj nuk përmban asnjë element i cili do të mund të konsiderohej si emergjencë shtetërore ose shmangie të rrezikut nga publiku.
Në këtë kuadër, KCSF shpreh shqetësimin e keqpërdorimit të vazhdueshëm të kësaj procedure nga ana e Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, dhe atë zakonisht në rastet kur bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme për qytetarë.
Kjo tendencë është në kundërshtim të plotë me dokumentet e ndryshme normative dhe strategjike të miratuara nga vet Qeveria së fundmi, si dhe deklaratat e vazhdueshme për hapje të Qeverisë ndaj qytetarëve dhe bashkëpunim në mes të Qeverisë dhe shoqërisë civile.
Me këtë qasje, Qeveria rrezikon gjithë sistemin e vendim-marrjes demokratike i cili synon që të ndërtohet në vend dhe rendin juridik për të cilin angazhohen të gjitha grupet politike dhe qytetare në Republikën e Kosovës.
Konsultimi publik nuk është thjesht vetëm një obligim kushtetues dhe ligjor, por mjet themelor i demokracisë dhe i domosdoshëm për reflektimin e interesave të qytetarëve në politikat publike dhe ligjet që hartohen nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Mungesa e konsultimit të duhur publik ka për pasojë politika dhe ligje të cilat nuk i adresojnë si duhet nevojat dhe interesat e qytetarëve, e shpesh herë edhe i cenojnë seriozisht ato. Përmbajtja e Projektligjit për Amnisti është ilustrim shumë i qartë i pasojave të tilla.
Për këto arsye, KCSF i bën thirrje Kuvendit të Kosovës që Projektligjin për Amnisti tia kthejë Qeverisë, duke kërkuar nga ajo që të respektojë të gjitha procedurat ligjore të hartimit të ligjeve, e sidomos obligimet për konsultim publik.
Në të kundërtën, Kuvendi i Kosovës do të legjitimonte shkeljet kushtetuese dhe ligjore në rastin e Projektligjit për Amnisti, duke rrezikuar seriozisht interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët ky Kuvend është i thirrur ti përfaqësojë.