22 Janar 2025

Kastrati: VLAN duhet ta dijë se i ka humbur zgjedhjet

Prishtinë, 27 shtator - Avni Kastrati ka thënë se VLAN është duke e bllokuar formimin e institucioneve, pavarësisht se e drejta për të bërë një gjë të tillë i takon PDK-së.

Kryetari i Degës së PDK-së në Mitrovicë, Avni Kastrati, e ka vlerësuar papjekuri politike qëndrimin e koalicionit LDK-AAK-Nisma dhe të Vetëvendosje-s!, i cili nuk dëshiron të diskutojë me partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Kastrati ka thënë se ky koalicion është duke e bllokuar formimin e institucioneve, pavarësisht se e drejta për të bërë një gjë të tillë i takon PDK-së. Ai ka kërkuar nga partitë e koalicionit paszgjedhor të ulen dhe të arrijnë në marrëveshje me PDK-në, në mënyrë që në seancën konstituive, e cila pritet të vazhdojë më 2 tetor, të zgjedhet kryeparlamentari.

“Ata duhet ta dinë dhe të jenë të vetëdijshëm se i kanë humbur zgjedhjet. Dhe nëse ata dëshirojnë që sinqerisht të dilet nga ky ngërç politik, atëherë ata duhet të ulen me PDK-në dhe të bëjnë marrëveshje, ndryshe nuk mund të ketë zgjidhje”, ka deklaruar Kastrati.

Ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme ta negociojë postin e kryeparlamentarit, por jo edhe të kryeministrit.

“Ne jemi deklaruar nëpërmjet medieve, se posti i kryeparlamentarit mund të negociohet, me kusht që të formohet koalicioni dhe të përkrahet kandidatura e z. Hashim Thaçi për kryeministër që të formohet ‘Qeveria Thaçi III’”, është shprehur Kastrati, duke shtuar se Kosovës i duhet një koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së.

“Unë si kryetar i Degës së PDK-së në Mitrovicë, sigurisht se e pranoj një koalicion me LDK-në, për arsye se një gjë e tillë mund të japë rezultate”, ka thënë Kastrati. Ndërkaq duke folur rreth marrëveshjes së 10 qershorit në mes të LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën, Kastrati ka thënë se Isa Mustafa e ka mashtruar elektoratin e LDK-së sepse, sipas tij, për zgjedhjet e 8 qershorit ka kërkuar të bëhet kryeministër e jo kryeparlamentar.

“Z. Mustafa ka kërkuar votë për kryeministër, ndërkaq tani është duke e mashtruar elektoratin e vet me një pozicion krejt tjetër, atë të kryetarit të Kuvendit. Ai asnjëherë nuk i është drejtuar elektoratit dhe Kryesisë së LDK-së, se situata është kështu, por ai e ka nënshkruar marrëveshjen para se të njoftohen organet e partisë”, ka thënë Kastrati.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)