Kastrati kërkon nga KFOR-i largimin e barrikadës në urën e Ibrit
Mitrovicë, 9 korrik - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, kërkon nga KFOR-i që të largoj barrikadën e vendosur nga serbët në urën e Ibrit, e cila është duke penguar lëvizën e lirë të qytetarëve dhe duke krijuar një imazh shumë të keq për Mitrovicën.
Këtë kërkesë e shtroi në një takim me komandantin e KFOR-it, gjen. Erhard Drews, i cili të enjten qëndroi në Mitrovicë.
Kryetari Kastrati, theksoi se barrikada mbi Ibër dhe barrikadat tjera në veri janë të papranueshme dhe si të tilla nuk duhet të lejohen që të qëndrojnë në rrugë.
Ne e kemi parasysh kompleksitetin e situatës në veri, mirëpo strukturat e sigurisë, në radhë të parë KFOR-i duhet të veproj dhe ti largoj ato.
Një tjetër shqetësim që ka përmendur kryetari në takim me gjen. Drews ka qenë ai për kontrabandën e mallrave nga Serbia në drejtim të Kosovës nëpërmjet rrugëve alternative në veri.
Nuk duhet të lejohet një kaos i tillë, që dëmton si qytetarët ashtu edhe vetë shtetin e Kosovës.
Në anën tjetër, komandanti i KFOR-it, ka pranuar se barrikadat janë duke krijuar shumë probleme, por nuk ka precizuar se kur do të reagoj KFOR-i. Në konferencën e organizuar me gazetarë pas takimit, gjen. Drews e ka quajtur barrikadën mbi urën e Ibrit si barrikadë të turpit.
Ajo ka një simbolikë politike dhe simbolikat e tilla nëse largohen me mjete ushtarake nuk janë të suksesshme, meqë nuk eliminohet edhe mentaliteti i asaj simbolike.
Gjen. Drews ka thënë se në veri situatën janë duke e tensionuar grupet ekstremiste dhe jo qytetarët. Ne u pajtuam me kryetarin Kastrati se qytetarët duan një jetë normale, mirëpo po shantazhohen nga grupet ekstremiste, tha ai.