Kapitullim i vullnetshëm i qeverisë para korrupsionit e krimit të organizuar
Prishtinë, 14 dhjetor - Deputetja e pavarur,Margarita Kadriu, në diskutimin e saj në seancën e mbajtur në kushte tëjashtëzakonshme, rreth projektit buxhetit të vitit 2016,ndër të tjera deklaroi se Projektbuxheti për vitin 2016 nuk ka risi, është i pagjak dhe i mjerë e i pazot , i pashpresë për qytetarët, sikur që edhe nuk shpreh fare aspiratat e vërteta të qytetarëve tanimë të nëpërkëmbur të këtij vendi, nuk jep shpresë as për përmirësim të ekonomisë, as për rritje të punësimit, e as nxitje të investimeve të huaja dhe të vendit.
Ky propozim i Qeverisë është vetëm edhe një dëshmi se Kosova do të vazhdojë rrugën e vendnumërimit, STATUS QUO-s,që i bie mbetje apo edhe shkuarje prapa, edhe atë jo vetëm vitin e ardhshëm, por ndoshta edhe bukur gjatë, gjithmonë nëse vazhdohet me këtë mendësi të vetëdorëzimit të Qeverisë para sfidave, siç janë luftimi i ashpër kundër korrupsionit e krimit te organizuar, që e kanë kapur shtetin dhe kanë metastazuar tanimë deri në majat e saj qeveritare, por jo vetëm.
Në vazhdim po e japim diskutimin e plotë të deputetes së pavarur,Margarita Kadriu.
Në dhjetor të vitit të kaluar, kur u votua Projektbuxheti për vitin 2015, gjatë diskutimit tim pata theksuar se vërejtjet për atë buxhet janë të panumërta, mirëpo problemi krucial e qendror konsiston në diçka që përsëritet e përsëritet si \"recidiviste\" për rreth 15 vjetët e fundit, lidhur me projektimin e gjithëpërfshirjeve reale apo jo, të të gjitha të hyrave buxhetore në vend.
Sot, Projektbuxheti për vitin 2016 është kinse në lexim të dytë, ndonëse në kushte të jashtëzakonshme, dhe storia e njëjtë po ripërsëritet.
Para 1 viti, në cilësinë e deputetes së pavarur, i kisha propozuar Kuvendit që të formohet një Komision i posaçëm ad-hoc hetues parlamentar i përbërë nga të gjitha përfaqësimet në Parlament, për t\'i bërë të gjitha gjetjet dhe konstatimet e besueshme për ne të gjithë, se si kemi humbur në pakthim për çdo vit kalendarik nga një buxhet të tërë, duke i adresuar e duke i gjetur gjurmët e shpërdorimeve eventuale të cilitdo zyrtar të lartë, të mesëm apo të ulët në të gjitha pushtetet e vendit.
Mirëpo, të nderuar kolegë deputetë, shumica parlamentare u frikësua dhe nuk e nënshkruan nismën e filluar nga unë për krijimin e Komisionit hetimor parlamentar. A thua pse?
Ata vetë sigurisht se e dinë këtë më mirë, mirëpo qytetarët e vendit duhet të dinë se shumica parlamentare nuk e kishte vullnetin dhe dëshirën e gatishmërinë, e as interesin ta zbardhin se ku po shkon ai buxhet i humbur: në xhepat e kujt apo në kontot e kujt po përfundon, edhe një buxhet i tërë që e paguajnë rregullisht qytetarët dhe bizneset e ligjshme, por që para dhe gjatë kohës së mbledhjes së tij përmes kontrabandës e trafikimit dhe evazionit të organizuar fiskal, dhe jo vetëm , pandashëm çdo vit, çdo muaj, e çdo ditë, rrëmbehet e plaçkitet kundërligjshëm nga shoqëritë e afërta e të lidhura me pushtetet e gjertanishme, e që i bie të jenë shoqëri kontrabanduese e trafikuese përmes formave korruptive, që përbejnë një rrjet të krimit të organizuar nëpër pikat kufitare, por edhe jashtë pikave zyrtare kufitare, sikur edhe në brendi të vendit.
Të gjitha këto veprime të kundërligjshme të trafikimit kryhen në bashkëveprim dhe në mbështetje edhe të zyrtarëve të lartë, të mesëm dhe të rangut më të ultë të shtetit, pra të veshur me pushtet, të cilin e shpërdorojnë.
Të gjithë të mirë-informuarit e thonë se po të zbatoheshin ligjet e vendit dhe Kushtetuta nga institucionet e vendit, buxheti i Republikës së Kosovës do të kapte shifrën për vitin 2016 hiç më pak se në vlerë prej rreth 3 miliardë euro, ose sa dyfishi i këtij që është propozuar nga Qeveria aktuale e vetëdorëzuar para \"te fortëve \" që bëjnë pandashëm për çdo vit kontrabandën,evazionin, korrupsionin, krimin e organizuar, ku përfshihen edhe zhvatjet e plaçkitjet e buxhetit të mbledhur të shtetit.
Të nderuar qytetarë,
Projektbuxheti për vitin 2016 nuk ka risi, është i pagjak dhe i mjerë e i pazot , i pashpresë për qytetarët, sikur që edhe nuk shpreh fare aspiratat e vërteta të qytetarëve tanimë të nëpërkëmbur të këtij vendi, nuk jep shpresë as për përmirësim të ekonomisë, as për rritje të punësimit, e as nxitje të investimeve të huaja dhe të vendit.
Ky propozim i Qeverisë është vetëm edhe një dëshmi se Kosova do të vazhdojë rrugën e vendnumërimit, STATUS QUO-s,që i bie mbetje apo edhe shkuarje prapa, edhe atë jo vetëm vitin e ardhshëm, por ndoshta edhe bukur gjatë, gjithmonë nëse vazhdohet me këtë mendësi të vetëdorëzimit të Qeverisë para sfidave, siç janë luftimi i ashpër kundër korrupsionit e krimit te organizuar, që e kanë kapur shtetin dhe kanë metastazuar tanimë deri në majat e saj qeveritare, por jo vetëm.
Ky propozim i mjerë i buxhetit të shtetit dëshmon për kapitullimin e vullnetshëm të kësaj Qeverie, e cila ka përqafuar kapitullimin e mjerë, por komod, para sfidave të ndershme e të ligjshme për luftimin e pakompromis të kontrabandës e evazionit fiskal, për luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar, për luftimin e monopoleve dhe të mafio-oligarkisë së madhe kosovare të kundërligjshme e kundërkushtetuese, kundër zhvatjeve, plaçkitjeve e vjedhjeve të buxhetit ekzistues, duke përdorur të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues të shtetit ligjor, me qëllimin e vetëm për të kthyer rendin kushtetues dhe sundimin e ligjit në vend, për të kthyer shpresën e humbur tek qytetarët e vendit, për të kthyer sërish demokracinë e proklamuar me Kushtetutë në vend të oligarkisë së vetë-instaluar pa ligj e Kushtetutë, që ka kapur kundërligjshëm të gjitha segmentet e mekanizmat shtetërorë e ekonomikë të vendit, për të kthyer e për tu garantuar qytetarëve të nëpërkëmbur fillimisht sundimin e rendit e të ligjit,si garantues të zhvillimit ekonomik, të punësimit në masë, të mirëqenies gjithëqytetare e pa dallime, dhe me të drejtë edhe bërjen e Republikës së Kosovës pjesë dhe shtet i barabartë dhe kontribuues në bashkësinë që synojmë të gjithë, të Bashkimit Evropian (BE-së).
Planifikimi vjetor i buxhetit dëshmon gjendjen ekonomike dhe vullnetin e vizionin apo jo të një Qeverie për ta çuar përpara ose për ta mbajtur të degraduar shtetin e kapur nga mafio-oligarkia degraduese.
Ky Projektbuxhet vërteton se gjendja e rënduar socio-ekonomike në vend do të vazhdojë të mbetet e tillë, ose edhe më keq se çfarë ishte në vitin që po e lëmë pas. Thjesht, ky Projektbuxhet nuk hap ndonjë rrugë prosperiteti dhe as një fije shprese për qytetarët tanimë të pashpresë dhe për rrjedhojë ata ikin dhe vetëm ikin, ikin nga shteti i kapur keq nga pushtetarët dhe oligarkia e inkriminuar.
Kjo tregon e dëshmon se me qeverisje anemike dhe të pashpresë, edhe shumë vjet do ti ndiejmë pasojat e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit të parasë publike për një kohë të gjatë. Keqqeverisjen dhe keqmenaxhimin e ka raportuar me gjetje serioze edhe konkrete edhe Raporti i fundit Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës për vitin 2014, dhe jo vetëm, ku i jepet vlerësim negativ Raportit vjetor financiar të buxhetit të Kosovës.
Sipas Projektbuxhetit 2016, edhe vitin tjetër paratë e taksapaguesve kosovarë do të shkojnë për projekte të nisura para disa vjetësh, kryesisht projekte të premtimeve të vjetra mashtruese për qëllime vetëm elektorale. Pjesa më e madhe e projekteve të reja kapitale do të jenë në riparimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja.
Edhe pse premtimet kanë qenë se do të rritet buxheti, duke e luftuar ekonominë joformale, asnjë shenjë nuk po shihet se diçka e tillë po ndodh. A thua pse? Sepse struktura të caktuara institucionale po vazhdojnë të ndihmojnë e të mbështesin krimin ekonomik të organizuar dhe nuk po shihet as guximi dhe as interesi që krimit të organizuar ekonomik në vend t\'i thuhet STOP.
Projektbuxheti 2016, po ashtu, nuk përmban projekte të reja as për sistemin arsimor, as atë të shëndetësisë, e as atë të bujqësisë, si një fushë me potencial të shtytjes së zhvillimit më masiv ekonomik, ndonëse të dy partnerët e koalicionit kishin premtuar e mashtruar qytetarët për votën se do të angazhohen fuqishëm në përmirësimin e përparimin e këtyre sektorëve tepër të rëndësishëm për vendin .
Në anën tjetër, as numrat nga tabelat buxhetore nuk tregojnë se në 2016-tën na pret diçka më e mirë. Pa marrë parasysh ndonjë plusi e minusi, nuk ka ndryshime qenësore krahasuar me buxhetet e mëhershme.
Kjo posaçërisht vërehet te mesazhi që përcjell ky dokument: pra, vazhdon ruajtja e gjendjes aktuale status-quo, ose mbetjes apo shkuarjes mbrapa. Pra, ky Projektbuxhet nuk premton zhvillim, punësim e as mirëqenie, nuk ngjall shpresë se qytetaret tanë do të jetojnë më mirë se në vitet e mëhershme.
Së pari, të hyrat prej afër 1,6 miliard eurosh, me një rritje 4,1 për qind, vazhdojnë të vjelën në kufi. Nga 61 për qind, sa ishte sivjet pjesëmarrja e të hyrave nga kufiri, vitin e ardhshëm shkojnë në 63 për qind. Kjo tregon se lehtësitë fiskale, me të cilat aq shumë po krenohet kjo Qeveri, nuk do të kenë asnjë efekt pozitiv për qytetarët dhe vendin.
Ndikimi i tyre do të duket vetëm atëherë kur të rriten të hyrat buxhetore nga vjeljet e brendshme, ngase në kufi nuk po arrijmë apo nuk po duam ta kemi situatën nën kontroll të plotë.
Efekti pozitiv do të vërehet vetëm kur ka ulje të informalitetit, gjë që ka mundur të hetohet me krijimin e Komisionit hetimor ad hoc parlamentar kundër evazionit fiskal e kontrabandës në kufi, por që deputetët e shumicës parlamentare për një vit të tërë hezituan ta bëjnë, dhe natyrisht që pastaj nuk ka rritje ekonomike dhe as disiplinë financiare.
Të nderuar qytetarë,
Pa e luftuar krimin brendapërbrenda dhe pa e luftuar informalitetin e kontrabandën, as që mund të pritet që paratë e taksapaguesve të shfrytëzohen për projekte që u mundësojnë atyre një jetë më të mirë në përgjithësi.
Si pasojë, sot kemi një Projektbuxhet për vitin 2016, i cili dëshmon se Kosova do të vazhdojë rrugën e vendnumërimit. Prandaj, edhe shifrat e këtij Projektbuxheti po tregojnë dhe dëshmojnë qartë: nuk pritet dhe as nuk do të ketë zhvillim, punësim, dhe as mirëqenie të cilën me padurim e presin dhe e duan të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësive partiake, qofshin ata shumicë a pakicë.