Kanin: Serbia e humbi Kosovën në fushëbetejë
Uashington, 12 shkurt - David Kanin, profesor amerikan në Universitetin Johns Hopkins në Washington ka përgënjeshtruar gazetën beogradase Politika për një shtrembërim që kjo i ka bërë një interviste që ai i kishte dhënë, e ku përmendej edhe Kosova.
Në një intervistë me mua të botuar dy ditë më parë në të përditshmen Politika, shkruan Kanin, thuhej se unë gjoja paskam thënë se Kosova është marrë në mënyrë të paligjshme nga Serbia.
Unë nuk e kam thënë këtë dhe nuk e mendoj se kështu ka qenë rasti, përgënjeshtron Kanin në bllogun Peacefare.
Sipas mendimit tim, shkruan më tej Kanin, Serbia e ka humbur Kosovën me një keqmenaxhim në vitet 1990-ta, si dhe për arsye se Millosheviqi bëri llogaritjen e gabuar rreth gatishmërisë së NATO-së për përdorimin e forcës më 1999. Serbia e humbi Kosovën ashtu siç humbet, në fushëbetejë.
Dhe kjo nuk ka asnjë lidhje me ligjshmërinë, shkruan Kanin.
David B. Kanin është pensionuar pas një karriere rreth 30 vjeçare si analist në CIA, Agjencinë Qendrore të Zbulimit.
Në Universitetin Johns Hopkins, profesor Kanin ligjëron për Ballkanin, ndërsa në një shkrim të tij ditë më parë, ai krahasonte serbët përtej Ibrit në Kosovë me kolonistët hebraitë në Bregun Perëndimor në Palestinë, që sillen sikur janë shpirtërisht dhe fizikisht në vijën e parë të frontit të identitetit kombëtar.