Kandidati për president të Egjiptit: Do ta njohim menjëherë Kosovën
Kajro, Egjipt, 25 qershor - Njëri nga kandidatët për president të Egjiptit, Abdulmunim Ebul Futuh, ka deklaruar se do të angazhohet që vendi i tij ta njohë sa më shpejtë pavarësinë e Kosovës, ndërsa nëse ai do të fitonte zgjedhjet, Kosova do të njihet menjëherë nga vendi i tij.
Këto komente ai bëri gjatë një takimi me Prof. Dr. Beqir Ismailin, pasi ky i fundit e njoftoi për rrjedhat e ngjarjeve më të reja në Kosovë, për perspektivën e Kosovës drejt anëtarësimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kosova është njohur prej 76 shteteve, tashmë ka ardhur radha që qeveria e Revolucionit të shqyrtojë sa më shpejt çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe populli martir i Kosovës e meriton lirinë e arritur me gjakun dhe sakrificat e bijve më të mirë të saj, është shprehur Ismaili.
Futuh ka thënë se do të japë kontributin e tij personal, si Sekretari i përgjithshëm i Unionit të Mjekëve Arabë dhe si kandidat për zgjedhjet presidenciale 2011, në këtë çështje. Ai premtoi që në takimin e radhës në Ministri dhe Kryeministri do ti parashtrojë kryetarit të Këshillit të Forcave të Armatosura propozimin e tij për njohjen sa më të shpejtë të Kosovës nga Egjipti.
Ai deklaroi se nëse kërkesa e tij nuk do të merrej në konsideratë deri në zgjedhjet parlamentare, nga organet aktuale egjiptiane, nëse ai fiton postin e presidentit, do të deklarojë menjëherë njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Abdulmunim Ebul Futuh është kandidat për zgjedhjet presidenciale 2011, Sekretar i përgjithshëm i Unionit të Mjekëve Arabë dhe ish-anëtar dhe udhëzues i Zyrës së Vëllazërisë Myslimane në Egjipt. /AlbaPress