Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz viziton sot Kosovën
Prishtinë, 10 qershor - Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz sot pritet të vizitojë Republikën e Kosovës.
Gjatë kësaj vizite Scholz do të takohet me kreun e Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe me përfaqësues të trupave gjermane të KFOR-it.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.
Njëkohësisht për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
Pas Kosovës, kancelari gjerman pritet të vizitojë Beogradin, Selanikun, Shkupin për të përfunduar në Sofje vizitat e tij në Ballkan.
Në Selanik ai do të zhvillojë një takim me krerët e vendeve të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) një forum politik ky, i iniciuar në Sofje në vitin 1996.
Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe