Kanadaja mbështet fuqishëm Kosovën
Prishtinë, 13 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Kanadasë në Zagreb, jo rezident për Kosovën Daniel Maksymiuk.
Presidentja Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Kanadasë janë shumë të mira dhe shprehu vendosmërinë e institucioneve tona për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror midis dy vendeve sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe investimeve të huaja.
Ajo e çmoi lart mbështetjen që Kanadaja i ka dhënë Institucioneve të Republikës së Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit.
Presidentja Jahjaga e uroi ambasadorin Maksymiuk për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të tij si ambasador jorezident i Kanadasë në Republikën e Kosovës.
Ambasadori Maksymiuk, theksoi se Kanadaja mbështet fuqishëm institucionet e Kosovës dhe angazhohet për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë me interes të përbashkët, sidomos në atë ekonomike.