Kaltrina Demiri zgjedhet kryetare e Forumit të Gruas në Lipjan
Prishtinë, 9 tetor - Në kuadër të procesit të brendshëm zgjedhor dhe konsolidimit të Forumeve të Aleancës Kosova e Re, sot në praninë e 500 delegateve është mbajtur Kuvendi Zgjedhor i Forumit të Gruas në degën e AKR-së në Lipjan.
Punimet e Kuvendit i hapi koordinatori i degës së Aleancës Kosova e Re në Lipjan, Sabit Pacolli i cili duke ju uruar mirëseardhje të pranishmeve, foli për fuqizimin e gruas përmes AKR-së.
Fuqizimi është e drejtë e gruas për të qenë e pavarur ekonomikisht përmes edukimit, punësimit, të drejtës në trashëgimi si dhe të drejtës për ti bërë zgjedhjet e saj në jetë, tha ai.
Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, me shumicë votash, kryetare e Forumit të Gruas në Lipjan është zgjedhur Kaltrina Demiri.
Kryetarja Demiri, duke i falënderuar delegatet për besimin, premtoi se do të punojë në zbatimin e plan-programit të AKR-së në Lipjan, program ky i cili parasheh rolin e rëndësishëm të gruas në procesin e zhvillimit të shoqërisë në të gjitha fushat.
Kuvendin nga qendra kishin ardhur ta ndjekin edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR Vesel Makolli, sekretarja organizative Rejhan Vuniqi, koordinatorja e Forumit të Gruas Mirlindë Gashi dhe shumë mysafirë të tjerë.
Në emër të presidentit të AKR-së, Behgjet Pacolli, Kuvendin e përshëndeti koordinatori i zgjedhjeve në parti Vesel Makolli, i cili tha se, të bashkuar nën ombrellën e AKR-së, pozita e grave nuk do të jetë vetëm dekorative por vendimmarrëse.
Në Kuvend foli edhe koordinatorja e Forumit të Gruas në nivel qendror, Mirlindë Gashi, e cila duke i falënderuar gratë për pjesëmarrje, tha se gruaja është shtyllë e shoqërisë Ne duhet të edukohemi dhe të punojmë, që vendin ta dërgojmë përpara tha ajo.
Kuvendi më pas zgjodhi edhe strukturat udhëheqëse të Forumit të Degës, si dhe Kryesinë e përbërë prej 15 anëtaresh.