Kallxo.com vëren parregullsi në zgjedhjet në Drenas
Drenas, 4 dhjetor - Në kuadër të projekteve të monitorimit, Kallxo.com gjatë ditës së sotme ka monitoruar procesin e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit.
Mbi 20 monitorues janë të angazhuar në monitorimin e dhjetë qendrave të votimit. Deri në orën 15:00 monitoruesit kanë vërejtur disa parregullsi në mbarëvajtjen e procesit të votimit.
Parregullsi janë vërejtur kryesisht në votimet me asistencë dhe problemet me fotografimin e votës të cilat në disa kanë ngjallur reagime në qendrat e votuesve.
Në qendrën e votimit në fshatin Polluzhë janë vërejtur probleme gjatë votimit me kusht ku të dhënat e personave që kanë asistuar nuk janë shënuar në procesverbal. Tek pas pyetjeve të monitoruesve të dhënat janë shënuar në procesverbal.
Në po të njëjtën qendër, monitoruesi ka filmuar kryesuesin e qendrës së votimit tek asiston një qytetar gjatë votimit, veprim ky i ndaluar me ligj.
Në qendrën e votimit në fshatin Gllanasellë, monitoruesit kanë vërejtur se një person u ka asistuar dy apo më shumë personave, veprim i cili gjithashtu është në kundërshtim me ligjin. Votim me asistencë gjatë procesit është vërejtur edhe në qendrën e votimit në Llapushnik.
Mosidentifikimi i personave që asistojnë është vërejtur edhe në disa qendra të tjera.
Gjatë monitorimit është vërejtur edhe prezencë e zyrtarëve policorë brenda qendrave të votimit. Kryesuesit e këtyre qendrave kanë ndërmarrë veprime për largimin e tyre nga qendrat vetëm pas raportimit nga Kallxo.com.
Ndër problem të tjera të mbarëvajtjes së zgjedhjeve janë edhe mungesa e paarsyetuar e komisionevëve në disa prej qendrave të votimit.
Në nisje të procesit në fshatin Gllanasellë nuk ka pasur energji elektrike e cila është kompenzuar me një gjenerator.
Kallxo.com do ta monitorojë procesin zgjedhor në Drenas deri në numërimin e fletëvotimeve.
Pas verifikimit të keqpërdorimeve eventuale në këtë proces, Kallxo.com do ti adresojë të gjeturat e veta në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe Prokurorinë e Shtetit brenda afatit ligjor.