Kadri Veseli shpall kandidaturën për kryatar të PDK-së
Prishtinë, 22 prill - Kryetari në detyrë i PDK-së, Kadri Veseli, i cili sot shpalli zyrtarisht kandidaturën për të marrë drejtimin e partisë më të madhe në vend, ka thënë se ka ndërmarrë një vendim shumë të rëndësishëm për të dhe familjen e tij.
Pas një konsultimi me bashkëshorten time, me familjen time, me kolegët e mi dhe pas pranimit të shumë mesazheve të përkrahjes nga votuesit e PDK-së kam vendosur të kërkoj nga anëtarët e partisë besimin dhe mbështetjen për të marrë përsipër përgjegjësinë e udhëheqjes së partisë, ka thënë Veseli.
Ai ka shprehur besimin se në këtë detyrë të re mund ta përmbush më së miri vokacionin e tij politik dhe mund ti shërbej më së miri Republikës së Kosovës.
Pretendenti kryesor për marrjen nën udhëheqje të partisë më të madhe në vend, Kadri Veseli, ka shprehur edhe njëherë mirënjohje të madhe për ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, për mikun dhe bashkëluftëtarin e tij, Hashim Thaçin.
Të gjithë ne do të ngelemi përjetë mirënjohës dhe borxhlinj për kontributin e tij vendimtar në themelimin, forcimin dhe fitoret e partisë sonë, ka thënë Veseli për Thaçin.
Ai ka thënë se për vite me radhë ka kryer me dedikim dhe entuziazëm detyrën e zëvendëskryetarit të partisë dhe se tash ka mjaftueshëm përvojë, kapacitete dhe energji për të qenë kryetar i PDK-së.