Kadri Veseli fuqizon gruan dhe avancon strukturën
Prishtinë, 15 korrik - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar në konferencë për media vendimet e fundit të Kryesisë së PDK-së, për fuqizimin e rolit të gruas dhe vazhdimin e fuqizimit të partisë me kuadro të reja.
Kemi vendosur që në të gjitha strukturat e PDK-së, përfaqësimi i grave të jetë 40%. Kjo është kuotë minimale e cila do të avancohet me rritjen e numrit të grave në vendimmarrje, tha Veseli i cili premtoi se në zgjedhjet e ardhshme lokale, gratë do të marrin rol edhe më të madh. Ai tha se PDK tashmë e ka dhënë dëshminë për fuqizimin e grave, ku një javë më parë ka emëruar Dhurata Hoxhën, ministre të Drejtësisë.
Pastaj, kryetari Veseli, ka prezantuar nënkryetarin e ri të PDK-së, Uran Ismailin, për të cilin tha se ka dëshmuar që nga viti 2007 se ka potencial, veçanërisht në kuadër të organizimit partiak që nga seksioni, nëndega, dega dhe strukturat e larta.
Jam i bindur se Urani, i cili sapo është kthyer nga një shkollim cilësor në Universitetin prestigjioz të Harvardit në Shtetet e Bashkuara, do të jetë motiv dhe dëshmi për të gjeneratat e reja se PDK, është e hapur dhe mirëpret fuqizimin me vlera të reja. Unë i ftoj të gjithë të rinjtë që ti bashkohen vizionit të PDK-së dhe kontribuojnë zhvillimit të vendit, tha Veseli.