Kacin: Serbia të ndalojë së ngufaturi veten dhe fqinjët
Evropa kërkon nga Serbia që të ndalojë së ngufaturi veten dhe fqinjët, të ndalojë së ëndërruari ëndrrat e së kaluarës, si dhe të jetojë të ardhmen, ka thënë Kacin, transmetojnë mediat serbe.
Duke folur për bisedimet Beograd-Prishtinë, ai ka thënë se bëhet fjalë për dy partnerë dhe se duhet të krijohet një klimë më e mirë, për të biseduar për gjëra më të mira.
Ka ardhur koha që rajoni të lirohet nga e kaluara dhe të punohet për një të ardhme më të mirë të të gjitha shteteve të rajonit, ka thënë Kacin.
Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë prodhuar shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.
Aktualisht, janë shtuar zërat për nisjen e një dialogu politik ndërmjet dy vendeve.
Në lidhje me marrjen e datës për negociata në mes të Serbisë dhe Bashkimit Evropian, Kacin ka thënë se BE-ja do të përcjellë me vëmendje sjelljen e qeverisë së tanishme.
Brenda dy javësh do të vijë delegacioni zyrtar i BE-së në Serbi. Në mënyrë të vazhdueshme, ai do të përcjellë përparimin e Serbisë. Puna duhet të nisë nga diku dhe më pastaj është gjithçka e lehtë, është shprehur Kacin.
Ai nuk i është përgjigjur pyetjes se sa janë reale pritjet që Serbia të nisë bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian në fund të vitit 2013.