Kabashi: KQZ ti ofroj prokurorëve materialet e keqpërdorimeve
Prishtinë, 21 janar - Sot kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, i shoqëruar nga kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, zhvilluan takime të ndara pune me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Veldete Daka dhe me kryesuesin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani.
Në këto takime kryeprokurori Kabashi kërkoi që të thellohet bashkëpunimi në mes Prokurorit të Shtetit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Kryeprokurori Kabashi, gjithashtu kërkoi nga KQZ-ja dhe PZAP-i që tia ofrojnë prokurorëve të gjitha materialet që i kanë, ku dyshohet se ka pasur parregullsi që e kanë shënuar procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të mbajtura më 12 dhjetor 2010 dhe më 9 janar 2011, në Republikën e Kosovës.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Veldete Daka dhe kryesuesi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Shukri Sylejmani, i premtuan kryeprokurorit Kabashi bashkëpunim të plotë nga ana e tyre.