Kabashi akuzon institucionet për mosfunksionimin e gjyqësorit
Prishtinë, 23 mars - Kryeprokurori i shtetit Ismet Kabashi dhe kryetari i gjykatës Supreme të Kosovës Fejzullah Hasani akuzojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës se po shkatërron sistemin gjyqësor duke mos krijuar kushte për funksionimin normal të gjykatave. Deklaratat e tyre vijnë pas akuzave dhe raporteve për mosfunksionimin e gjyqësorit në vend.
Pak kohë pasi është vënë në krye të prokurorisë së Kosovës, Ismet Kabashi ka drejtuar akuza ndaj Kuvendit dhe qeverisë së Kosovës, si përgjegjëse për mosfunksionimin e sistemit gjyqësor në vend. Kryeprokurori Kabashi thotë është e pamundur të kthehet besimi i qytetarëve te ky sistem, duke pasur parasysh kushtet me të cilat punojnë sot gjykatat dhe prokuroritë.
Derisa të ekziston kjo gjendje ku nuk ekzistojnë as kushte minimale profesionale e teknike gjyqësori nuk mund të funksionoj. Fajtorët për këtë sistem të rrënuar kanë adresa, ata janë qeveria e vendit dhe organi ligjvënës që nuk po krijojnë kushte normale për funksionimin e sistemit të drejtësisë, ka thënë Kabashi.
Akuzave për shkatërrim të gjyqësorit i kundërvihet numri dy i qeverisë së vendit. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se organet e gjyqësorit nuk duhet flasin por duhet veprojnë.
Qeveria është duke u përpjekur jo vetëm të krijoj kushte por edhe të krijoj mundësi për reforma në sistemin gjyqësor. Unë nuk i kam dëgjuar deklaratat e kryeprokurorit por mendoj që nëse ai ka fakte për shkelje nuk duhet flas por të bëjë padi, ka thënë Kuçi.
Por kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës Fejzuallah Hasani ka thënë se gjyqësori është ngopur me deklarata. Ai ka thënë se ligji për gjykatat i qeverisë së vendit nëse aprovohet si i tillë do të godasë edhe më tej gjyqësorin.
Mendoj se nuk mjaftojnë deklarata nëpër media se po përkrahet gjyqësori dhe sundimi i ligjit ngase nevojiten veprime konkrete. P.sh ligji mbi gjykatat që ka shkuar në Kuvend nëse aprovohet si i tillë, sidomos për pagat do të reflektoj shumë negativisht në punën e gjyqësorit, ka thënë Hasani.
Sistemi gjyqësori i Kosovës sipas analizave dhe raporteve të të gjitha institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare del të jetë pika më e zezë në funksionimin institucioneve të vendit.
/rtk/