Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka trasuan rrugën e lirisë
Prishtinë, 17 janar - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar veprimtarët e shquar të lirisë së Kosovës Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla, në 34 vjetorin e vrasjes së tyre nga regjimi ish-jugosllav.
Kryeministri Mustafa thekson se Jusuf Gërvalla ishte një intelektual i jashtëzakonshëm, që me dijet e gjithanshme, vizionin politik dhe vendosmërinë atdhetare, së bashku me Bardhoshin dhe Kadri Zekën, me përkushtim të pashoq arritën të ngritin nivelin e organizimit dhe unifikimit të veprimtarëve shqiptarë në kuadër të lëvizjes kombëtare për lirinë e Kosovës.
Aktiviteti dhe kontributi i jashtëzakonshëm i Jusuf Gërvallës dhe bashkëveprimtarëve të tij, pati ndikim vendimtar në dinamizimin e tërësishëm të lëvizjes kombëtare shqiptare kundër regjimit ish-jugosllav, duke mobilizuar elitën intelektuale dhe masat e gjëra të popullsisë, dhe duke rritur besimin në triumfin e pashmangshëm të vullnetit të popullit të Kosovës, thekson kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa thotë se vrasja e Jusufit, Kadrisë dhe Bardhoshit më 17 Janar 1982, ishte një goditje e rëndë për lëvizjen e shqiptarëve të Kosovës, por ata u shndërruan në prijës shpirtërorë të kauzës për lirinë e Kosovës, duke trasuar rrugën e qartë drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.