Jordania do të vazhdojë ta thellojë bashkëpunimin me Kosovën
Prishtinë, 28 maj - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Madhërinë e Tij Princ Ghazi Bin Mohammad të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, me të cilin bisedoi për tolerancën ndërfetare në Kosovë dhe dialogun ndërmjet religjioneve të ndryshme.
Presidentja Jahjaga theksoi se Republika e Kosovës ka një traditë të mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare dhe ajo e kultivon atë duke respektuar të drejtën dhe lirinë fetare të secilit qytetar të saj. Ajo tha se liria dhe e drejta fetare është e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim.
Ajo tha se Kosova dhe Jordania kanë ndërtuar marrëdhënie shumë të mira dhe theksoi domosdoshmërinë e zgjerimit të tyre në fusha të ndryshme, në veçanti në shkëmbim të përvojave në promovimin e vlerave fetare.
Madhëria e Tij, Princ Ghazi Bin Mohammad i Mbretërisë Hashetime të Jordanisë, tha se Kosova ka shënuar përparime dhe vlerësoi angazhimin e institucioneve të vendit për të ruajtur dhe promovuar tolerancën ndërfetare. Ai theksoi se Jordania do të vazhdojë ta thellojë bashkëpunimin me Kosovën dhe do ta mbështesë atë në proceset demokratike të saj.
Madhëria e Tij, Princ Ghazi Bin Mohammad i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, po qëndron në Kosovë me ftesë të Presidentes Jahjaga në kuadër të Javës së Tolerancës dhe Pajtimit, që promovon dialogun dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare, dhe ka mbajtur një ligjëratë me titullin Dashuria në KurAnin e Shenjtë.