19 Janar 2025

Jemi shtuar me 182 mijë e 723 fëmijë

Prishtinë, 18 shkurt -  Republika e Kosovës gjatë gjashtë vjetëve të ekzistencës si shtet është shtuar me 182 mijë e 723 fëmijë, që i bie se mesatarisht çdo vit në shtetin më të ri evropian kanë lindur mbi 30 mijë e 450 fëmijë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), që nga 17 shkurti i vitit 2008 në Kosovë kanë lindur 95 mijë e 503 meshkuj dhe 87 mijë 220 femra. Vetëm në komunën e Prishtinës që nga shpallja e pavarësisë kanë lindur 58 mijë e 107 fëmijë. Pas Prishtinës, Prizreni, Gjakova, Ferizaj dhe Gjilani janë katër komunat të cilat e kanë pasur numrin më të madh të lindjeve.


Natyrisht, përpos lindjeve, gjatë këtyre gjashtë vjetëve në Kosovë kanë vdekur 14 mijë e 94 qytetarë, prej tyre 9 mijë e 382 meshkuj dhe 4 mijë e 712 femra. Sa iu përket statistikave, Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Gjilani prijnë me numrin më të madh të vdekjeve gjatë këtyre viteve.
Krahas lindjeve dhe vdekjeve, që nga 17 shkurti i vitit 2008 ka pasur edhe shumë martesa. Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit Civil, në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë, pra nga 17 shkurti i vitit 2008, kanë ndodhur 34 mijë 614 kurorëzime. Vetëm gjatë këtyre viteve në Prizren janë martuar 3 mijë e 448 çifte, në Prishtinë 2 mijë e 482 e në Pejë 2 mijë e 135 çifte.
 
Camaj: Republika e Kosovës po rritet
 
Kryeshefi i Agjencisë së Regjistrimit Civil (ARC), Blerim Camaj, duke folur për numrin e lindjeve në Kosovë që nga 17 shkurti i vitit 2008, ka thënë për “Epokën e re” se vendi ynë është duke u rritur dita-ditës. “Numri i lindjeve nuk është shumë i madh, por krahasuar me rrethanat dhe trendët evropianë Republika e Kosovës po rritet dita-ditës. Kosova, përpos që është shtet i ri, është edhe vendi me popullin më të ri në Evropë. Besoj se Kosova edhe në vitet e ardhshme do të ketë shtim të natalitetit. Po ashtu, shpresoj se Kosova, përpos natalitetit, të zhvillohet edhe ekonomikisht, në mënyrë që rinia e këtij vendi të ketë një perspektivë të duhur dhe meritore”, është shprehur Camaj. Në këtë kontekst, Camaj ka deklaruar se ARC-ja në mënyrë profesionale i ofron të gjitha shërbimet që kanë të bëjnë me regjistrimin civil. Ai ka thënë se kjo agjenci është në shërbim të qytetarëve.

“ARC-ja vepron në përputhje me misionin e MPB-së, dokumentet strategjike të saj dhe vizionin e qartë për ndërtimin, ruajtjen, ngritjen e sigurisë së përgjithshme dhe ofrimin e shërbimeve sa më cilësore, profesionale dhe të avancuara, të bazuara në standardet dhe vlerat demokratike për paanshmëri dhe profesionalizëm. Ofrimi i shërbimeve sa më cilësore dhe profesionale për qytetarë në fushën e gjendjes civile paraqet objektivin kryesor të ARC-së. ARC-ja ofron të gjitha shërbimet për qytetarët dhe banorët të cilët aplikojnë për karta identiteti, pasaporta, nënshtetësi, dokumente të gjendjes civile, patentë shoferë dhe dokumente për regjistrimin e automjeteve”, ka thënë Camaj.
Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2012, Republika e Kosovës pa veriun i ka 1 milion e 739 mijë e 825 qytetarë, prej tyre 92.93 për qind janë shqiptarë.(Epoka e re)

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)