16 Janar 2025

Javën e ardhshme finalizohet procesi i implementimit të marrëveshjes

Prishtinë, 16 maj - Në mbledhjen e saj të rregullt, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, ka aprovuar vendime dhe akte tjera nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se të hënën dhe të martën e ardhshme do të ndodhë takimi me kryeministrin e Serbisë, me ndërmjetësimin e baroneshës Chaterin Ashton, në Bruksel, për të finalizuar procesin e implementimit të marrëveshjes.

“Besoj që do të arrihet marrëveshja në kuptimin e periudhave kohore implementuese, akterëve implementues, që duhet të jenë institucionet e Republikës së Kosovës, EULEX-i, KFOR, OSBE-ja dhe natyrisht në bazë të përgjegjësisë që del nga marrëveshja për krijimin e rrethanave lehtësuese, edhe nga Serbia”, ka thënë kryeministri Hashim Thaçi.

“Qëllimi dhe vizioni ynë është, që të punojmë sa më tepër me të gjithë qytetarët kudo që jetojnë, pavarësisht dallimeve etnike, të punojmë bashkë për të realizuar objektivat e përbashkëta edhe me serbët që jetojnë në veri, në mënyrë që të krijohet një rrethanë e re, demokratike, e organizimit të zgjedhjeve të lira, të zgjedhin liderët legjitim të tyre, të vullnetit të tyre, të vazhdojmë me investime socio-ekonomike, të krijojmë rrethana të reja për një jetë shumë më të mirë, më të sigurt, me mirëqenie më të lartë, me krijimin e vendeve të reja të punës.

Prandaj, jam optimist se gjërat do të lëvizin pozitivisht dhe do të arrihet marrëveshja në takimin e radhës për implementimin e marrëveshjes së prillit, pra, të arrihet kjo marrëveshje të hënën apo të martën në takimin që do të udhëhiqet nga baronesha Ashton në Bruksel”, është shprehur kryeministri Thaçi në fjalën e tij para kabineti qeveritar.

Vendimi i parë në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ka qenë aprovimi i Projektligjit për tregtinë me Mallrat Strategjike me të cilin rregullohet, eksporti, importi, transiti, transngarkesa, reexporti, ritransferi i mallrave dhe shërbimeve strategjike.

Projektligji është në të mirë të avancimit të sigurisë kombëtare dhe të interesave të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës.

Ky Projektligj plotëson marrëveshjet dhe zotimet ndërkombëtare lidhur me mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë si dhe mallrave tjera strategjike për qëllime ushtarake, dhe për të kontribuar në angazhimet regjionale dhe ndërkombëtare të menaxhimit te tregtimit  me mallra strategjike.

Udhëzimi Administrativ për standardet e hartimit të akteve normative, i miratuar nga kabineti qeveritar, unifikon standardet për hartimin e akteve normative nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Me këtë Udhëzim Administrativ rregullohen përgjegjësitë dhe detyrat e të gjitha institucioneve dhe njësive përkatëse të tyre, të gjithë personave që marrin pjesë në procesin e hartimit, konsultimit, shqyrtimit dhe miratimit të akteve normative në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Edhe Rregullorja për shërbimin ligjorë qeveritar, që gjithashtu është miratuar sot nga kabineti qeveritar, unifikon procesin e nismave, hartimin, shqyrtimin dhe miratimin e projekt-akteve normative nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Rregullorja gjithashtu përcakton procedurën për dhënien e mendimeve të Qeverisë ndaj amendamenteve të propozuara nga Kuvendi për projektligjet e hartuara nga Qeveria dhe dhënien e mendimeve të Qeverisë për projektligjet e propozuara nga Presidenti, Kuvendi dhe dhjetë mijë (10.000) qytetarë;

Qeveria e Kosovës ka emëruar Afrim Haxhiu në pozitën e sekretarit të Këshillit të Sigurisë së Republikës së Kosovës.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shpronësimet dhe vlerësimet me interes publik të pronave të paluajtshme  të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës Vërmicë-Merdare, Zona Kadastrale Arllat, Komuna Drenas, Zona Kadastrale Obiliq dhe  Mazgit,  Komuna Obiliq dhe Zona Kadastrale Bardhosh, Komuna Prishtinë.

Është miratuar edhe vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim, për interes publik, të  pronave të paluajtshme të   pronarëve  dhe zotëruesve të interesit të  cilat preken nga ndërtimi i rrugës Nacionale N2 Prishtinë-Mitrovicë, Segmenti Pestovë-Smrekovnicë, Zonat Kadastrale,  Nadakovc, Svaracak, Vushtri, Studime e Poshtme, Gojbule, Sllatinë, Novosellë.

Me qëllim të furnizimit me energji elektrike më kualitative për banorët e Komunës së Gjakovës dhe për rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, Kompania Publike ,,Operatori i Sistemit,Transmisionit dhe Tregut’’ Sh.A. (KOSTT) ka përgatitur Projektin për  ndërtimin e Linjës dhe vendosjen e   shtyllave elektrike dhe stabilimenteve për zgjerim të rrjetit energjetik  dhe shpronësimin me vënien e të drejtës të servitutit në dobi të KOSTT(Operatori i Sistemit,Transmisionit dhe Tregut Sh.A).

Për realizimin e këtij projekti Qeveria ka miratuar në mbledhjen e sotme vendimin për shpronësimin  për interes publik i pronave të paluajtshme të pronarëve  dhe zotëruesve të interesit të cilat ndodhen në  Zonën Kadastrale  të Komunës së Gjakovës, dhe të  cilat preken nga ndërtimi i shtyllave elektrike dhe vendosja e stabilimenteve për zgjerim të rrjetit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka informuar kabinetin qeveritar me për zhvillimin e Konferencës së Donatorëve për Energji të Qëndrueshme në Kosovë organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe Zyrën e Komisionit Evropian në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)