Java e Kuvendit në Vushtrri
Prishtinë, 22 mars - Në kuadër të Javës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, sot, në ditën e tretë të saj, kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga anëtarë të Kryesisë dhe deputetë të rajonit, vizituan Komunën e Vushtrrisë, me çrast zhvilluan takime me strukturat udhëheqëse të saj dhe me këshilltarët komunalë.
Fillimisht, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u prit në një takim të veçantë nga kryetari i Komunës, Bajram Mulaku, me bashkëpunëtorë, i cili e njoftoi udhëheqjen e Kuvendit me punën e Komunës dhe me problemet që ajo dhe qytetarët e saj po përballen.
Ndërkaq, gjatë takimit me anëtarë të Asamblesë Komunale, duke iu uruar mirëseardhje drejtuesve të Kuvendit të Kosovës dhe deputetëve të kësaj ane, kryetari Mulaku, fillimisht dha një historik të shkurtër të Komunës së Vushtrrisë dhe një pasqyrë të punës dhe aktiviteteve të institucioneve komunale. Ai i njoftoi të pranishmit me funksionimin e Asamblesë Komunale, me çrast e cilësoi të mirë bashkëpunimin ndërmjet pozitës dhe opozitës. Mulaku foli për të arriturat në komunën që ai udhëheq, duke veçuar: ndërtimin e infrastrukturës rrugore, të rrjetit të kanalizimin e ujësjellësit, ndërtimin e shtratit të lumit Tërstena, projektin për ndërtimin e shëtitores së qytetit etj. Ai i njoftoi të pranishmit edhe me sfidat që përballen qytetarët e Vushtrrisë, veçanërisht foli rreth mungesës së ujit të mjaftueshëm për pije, të cilës do të jepet zgjidhje me ndërtimin e Fabrikës së Ujit, e planifikuar të ndërtohet në këtë komunë.
Duke marrë fjalën, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, pasi i përshëndeti asamblistët e Vushtrrisë në emër të Kuvendit të Republikës, foli për qëllimin e kësaj vizite në kuadër të Javës së Kuvendit. Krasniqi tha se ky aktivitet i legjislativit ka të bëjë me njoftimin për së afërmi me institucionet komunale, punën dhe funksionimin e tyre. Kryeparlamentari Krasniqi në vazhdim dha një pasqyrë të funksionimit dhe aktiviteteve të Kuvendit të Kosovës, dhe u ndal në miratimin e ligjeve, duke njoftuar për një agjendë të ngjeshur që Kuvendi do të ketë në këtë drejtim gjatë këtij viti. Krasniqi tha se ligjet e miratuara deri tash kanë pasur për qëllim hapjen e perspektivës ekonomike për qytetarët e Kosovës.
Kreu i legjislativit të vendit foli edhe për sukseset që ka shënuar Kosova në rrafshin ndërkombëtar, veçanërisht në procesin e njohjeve. Kryeparlamentari tha se Kosova e ka mbështetjen nga SHBA-të dhe pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa potencoi si problem mungesën e njohjes nga pesë vende të kësaj organizate, të cilin e cilësoi më tepër si problem politik. Kosova ka perspektivë evropiane, dhe këtë smund tia mohojë askush. Po bëjmë përpjekje që të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian, theksoi kryeparlamentari Krasniqi.
Krasniqi veçoi disa prej sfidave me të cilat përballet Kosova aktualisht, duke përmendur: anëtarësimin në OKB, njohjen nga pesë vendet e BE-së të cilat ende hezitojnë ta ndërmarrin këtë hap, zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, luftimin e dukurive negative, luftimin e varfërisë dhe papunësisë etj.
Sa i përket Komunës së Vushtrrisë, kryeparlamentari Krasniqi tha se ajo ka një terren të përshtatshëm për bujqësi, dhe si e tillë, mbetet një perspektivë për zhvillimin ekonomik lokal dhe në nivel Kosove.
Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti, tha se është detyrë e të gjithëve, e institucioneve qendrore por edhe e atyre lokale, që të punojnë për perspektivën e Kosovës. Ai tha se delegacioni nga Kuvendi i Kosovës ka ardhur në Vushtrri për të dëgjuar dhe për tu njoftuar me hallet dhe problemet e kësaj ane. Duke u ndalur në sektorin e ekonomisë, Haliti potencoi se duhet krijuar kushte për investitorët e jashtëm, por theksoi se ka kaluar koha e rigjallërimit të ekonomisë së shekullit të kaluar. Ai foli edhe për dukuri negative që po gjejnë hapësirë në mesin e rinisë së Kosovës, dhe shtroi domosdoshmërinë e luftimit të tyre.
Edhe anëtari tjetër i Kryesisë, Naim Maloku, duke kërkuar debate më të shpeshta nëpër Asamble Komunale, potencoi pritjen e tij për shtrimin e çështjeve dhe problematikave që lidhen me menaxhimin e shërbimeve për qytetarët. Ndërsa, duke folur për transparencën e Kuvendit të Republikës, Maloku u ndal veçanërisht në punën e komisioneve, për të cilat tha se përveç tri syresh, të gjitha të tjerat mbajnë mbledhje të hapura, ku mund përcillen nga mediat dhe shoqëria civile.
Më pas, në debatin e zhvilluar me anëtarë të Asamblesë, këta të fundit e vlerësuan si shumë të qëlluar iniciativën e kryesisë së Kuvendit për vizita dhe debate nëpër komuna, dhe ngritën një varg çështjesh të nivelit lokal dhe atij qendror. Asamblistët u fokusuan në disa probleme me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës së tyre, siç është problemi i ujit, privatizimi i Llamkos-it, por adresuan edhe çështje që lidhen me punën e institucioneve qendrore të shtetit.
Para asamblistëve folën edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Arsim Rexhepi e Myrvete Pantina.