19 Janar 2025

Jashari: Ulëset e rezervuara, gabim i kushtueshëm

Prishtinë, 28 dhjetor - Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, ka vlerësuar të premten se shteti i Kosovës nuk ka fituar asgjë nga procesi i dialogut me Serbinë.

“Në aspektin e jashtëm, të diplomacisë evropiane, në të gjitha segmentet e bashkësisë evropiane dhe të OKB-së ky dialog lavdërohet. Por, nëse e shohim në aspektin e brendshëm, absolutisht nuk kemi fituar gjë”, ka thënë Jashari në intervistën e numrit festiv të “Epokës së re”.

Ai ka deklaruar se me procesin e dialogut rrezikohet edhe humbja e stabilitetit në vendin tonë. “Madje është një rrezik për humbje të diçkaje. Po e rrezikojmë stabilitetin sepse deri dje kemi pasur katër komunat në veri, të cilat nuk janë vendosur nën sundimin e rendit dhe të ligjit dhe tash, përpos komunave veriore, kemi edhe disa komuna në jug të vendit, të cilat deri më tani kanë qenë mirë të akomoduara në sistemin qeverisës të vendit. Ata nuk po i respektojnë ligjet dhe dokumentacionet e vendit, qoftë flamurin apo stemën. Prandaj, si hap i parë po duket të jetë se ata nuk janë të predisponuar për të funksionuar në bazë të ligjeve të Kosovës”, ka deklaruar Jashari.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se minoriteti serb ka fituar jashtë çdo rregulli ligjor kompetenca për të qeverisur në nivel lokal. “Nëse mundohemi me qenë pak realistë atëherë shohim se minoriteti serb ose këto grupet e caktuara serbe kanë marrë jashtë çdo rregulli ligjor kompetenca për të qeverisur në vendin tonë. Shumëkush po e quan sukses që për herë të parë në gjithë territorin e Kosovës janë mbajtur zgjedhjet e lira, edhe unë po i bashkëngjitëm këtij urimi dhe suksesi. Por, se cili do të jetë funksioni i këtyre komunave dhe i kësaj bashkësie serbe atëherë nuk mund të themi ndryshe përpos një avancim i paparashikuar”, është shprehur Jashari, duke shtuar se me këtë ka humbur i gjithë investimi i institucioneve vendore dhe ndërkombëtare te minoriteti serb në jug të vendit tonë.

“Është e dhimbshme sepse të gjitha investimet e shtetit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që u bënë gjatë gjithë këtyre viteve për minoritetin serb në jug dhe në shumicën e territorit të Kosovës sikur humbi sepse të gjithë këta në njëfarë forme dolën nga loja dhe erdhi një strukturë tjetër. Në momentin kur është menduar se gjithçka është arritur lindi diçka tjetër, këta dolën jashtë loje dhe erdhi dikush tjetër në lojë. Prandaj po shihet se investimet e mëdha që janë bërë nuk treguan sukses dhe në fakt ekipi tjetër i lojës bëri një taktikë ndryshe që na nxori prej lojës”, ka deklaruar Jashari.

Në këtë kontekst, Jashari ka thënë se shteti i Kosovës ka investuar shumë në një ekip të cilin nuk mund ta ketë në dispozicion. Sipas tij, në këtë drejtim institucionet e Kosovës nuk kanë qenë shumë të vëmendshme.

“Dua ta bëj një krahasim me futbollin. Kur investon në një ekip dhe në një moment të caktuar nuk e ki atë ekip, por do të luash me një tjetër, është e vështirë loja e mirë dhe fitorja e lojës është e paparashikueshme, pavarësisht se sa do të jesh trajner i mirë. Prandaj, konsideroj se këtu nuk kemi qenë mjaftueshëm të kujdesshëm që jemi futur në këto lojëra. Jam i vetëdijshëm se Kosova është e vogël për të qenë faktor i rëndësishëm në interesat gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha, por konsideroj se kemi pasur material të mjaftueshëm për të qenë më të kujdesshëm”, është shprehur Jashari.
 
Ai ka thënë se pjesa veriore e vendit, e cila që nga paslufta nuk është qeverisur as nga ndërkombëtarët e as nga vendorët, ka qenë çerdhe e njerëzve që kanë kryer krime dhe gjenocid në luftën e fundit në Kosovë. “Ka qenë një çerdhe e planifikuar mirë dhe, për mendimin tim, nuk ka qenë rastësi. Ndoshta kjo është ajo situata kur vjen në shprehje fjala popullore ‘me një të rame dy të vrame’. Dhe qeveria serbe konsideroj se e ka menaxhuar shumë mirë këtë situatë. E para për t’i larguar ata nga vendi i vet që dikur i kishte shfrytëzuar për të bërë krime dhe gjenocid nëpër të gjitha vendet e ish-federatës jugosllave; e dyta në momente të caktuara edhe për t’i përdorur si vegël në raport me Kosovën. Dhe kështu funksionoi”, ka deklaruar Jashari.
 
Çdo tejkalim i kompetencave do të jetë gabim
 
Përfaqësuesi i familjes Jashari ka folur edhe për çështjen e ulëseve të rezervuara të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës. Ai ka thënë se kjo çështje është e rregulluar shumë mirë me Pakon e Ahtisarit, prandaj çdo tejkalim i kësaj pakos do të ishte një gabim, i cili do t’i kushtojë shumë shtetit të Kosovës në të ardhmen.

 “Konsideroj se koha do të dëshmojë se çdo tejkalim i këtyre kompetencave do të jetë një gabim që do të na kushtojë në të ardhmen. Sepse mund të japësh çfarë të duash dhe çfarë të mundësh, por nuk do ta ndryshosh situatën sepse nuk mund të besh një mozaik me dy ngjyra. Prandaj është gabim nëse vërtet tentohet të vazhdohet siç po diskutohet ditët e fundit. Do të jetë një gabim që do t’i kushtojë demokracisë dhe që do të bëjë një çrregullim të legjislacionit në fuqi dhe që nuk do të sjellë rezultate”, ka deklaruar Jashari, duke shtuar se Kosova ka bërë diskriminim shumë pozitiv sidomos me minoritetin serb. “Të gjitha ato të drejta që i janë dhënë minoritetit serb në Kosovë janë jashtë kornizave të qeverisjes lokale të BE-së, të kartave ndërkombëtare.

Nuk mund të gjejmë një dokument, qoftë të BE-së apo OKB-së, mos të flasim të qeverisjeve të shteteve edhe nga ato më demokratike, që kanë bërë këso tolerimesh dhe që kanë dhënë këso kompetencash. Prandaj, për mendimin tim, pavarësisht çfarë t’i japësh minoritetit serb, nuk e ke rehabilituar sepse qëllimi i tij nuk është rehabilitimi, por këtu del se është një vegël e qeverisjes nga Beogradi që në momente të caktuara e përdorë për ta destabilizuar vendin”, ka theksuar Jashari.

Ai ka thënë se Kosova ka hyrë në gjynah me vetveten me humanizmin e tepruar ndaj minoritetit serb. “Shoqëria kosovare ka tejkaluar çdo gjë nga vetvetja. Janë rreth 1 800 persona të zhdukur. Serbia ende nuk e ka pranuar krimin dhe gjenocidin e bërë.

Nuk ka kërkuar falje për atë që ka ndodhur dhe në të gjitha këto populli dhe institucionet e tejkalojnë vetveten dhe bëjnë prapë lëshime. Por, këto të gjitha do të na kushtojnë. Ky humanizëm i tepruar do të na fusë në gjynah me veten tonë dhe nuk do ta stabilizojmë situatën në vend”, ka vlerësuar Jashari, duke shtuar se marrëveshjet e arritura me Serbinë duhet të zbatohen në praktikë.

“Duhet të jemi të përgatitur aq mirë sepse çdo marrëveshje që është bërë deri më tani duhet të zbatohet në përpikëri, pastaj shohim dhe bëjmë. Sepse arritja e marrëveshjeve mbi marrëveshje, negociata mbi negociata dhe moszbatimi i tyre në praktikë nuk është zgjidhje e problemit”, është shprehur Jashari.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)