16 Janar 2025

Jashari: UÇK-ja është vetë liria

Prishtinë, 29 maj - Përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, i ka quajtur përpjekje të dëmshme proceset ndaj ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së. Ai ka thënë se përpjekjet e tilla kanë dështuar dy herë në Hagë, me rastin e Haradinajt dhe Limajt.

Jashari ka thënë se nuk duhet të ndiqen luftëtarët e kauzës për liri, por të korruptuarit, kontrabanduesit e keqbërësit.


Me arrestimet e ish-luftëtarëve të UÇK-së Jashari ka thënë se janë duke u dëmtuar shteti dhe kombi shqiptar. Ai ka thënë se shteti është dashur të ketë qasje institucionale në mbështetje të drejtësisë, pasi nuk mjaftojnë deklaratat “besojmë në drejtësi”
 
Murat Jashari, ka thënë të martën se proceset ndaj ish-ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së janë përpjekje të dhimbshme dhe shumë të dëmshme.

“Jo vetëm këto të fundit, por të gjitha proceset ndaj ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së i konsideroj përpjekje të dhimbshme dhe shumë të dëmshme për baraspeshë ndërmjet atyre që bënë masakra gjenocidiale dhe neve që s’patëm kah t’ia mbajmë përveç rrugës së rezistencës deri në vetëflijim”, ka thënë Jashari në intervistën për “Epokën e re”.
 
Pavarësisht ndjekjeve të ish-pjesëtarëve të saj, Jashari ka thënë se UÇK-ja është sinonim i lirisë, e liria nuk përdhoset.

“UÇK-ja ka rrënjë të thella popullore e të ujitura me gjak, e gjaku nuk njolloset. UÇK-ja është sinonim i lirisë, e liria nuk përdhoset. UÇK-ja është pjesë e historisë së suksesit të Aleancës Veri-Atlantike, e suksesi nuk harrohet. Megjithëkëtë, proceset si këto bëjnë dëm, dëm të madh. Mjafton të shkruhet e të komentohet për akuza në mediume ndërkombëtare, qoftë edhe një ditë.

Përfundimet e suksesshme pastaj kalojnë pa zë, apo me pak zë”, ka deklaruar Jashari, duke i quajtur të padrejta arrestimet e luftëtarëve të lirisë, përderisa kriminelët janë të lirë.
 
“E padrejtë, shumë e padrejtë, prandaj patëm një protestë masive, nga më të mëdhatë deri më tani. Qytetarët aty, për mendimin tim, sa ishin të mllefosur për akuzat ndaj eprorëve të shtabit të UÇK-së, po aq ishin të mllefosur se pse ndaj kriminelëve të vërtetë s’po ndërmerret asgjë”, është shprehur Jashari, duke i kritikuar institucionet vendore që s’kanë bërë shumë në mbledhjen e fakteve për ndjekjen e kriminelëve.

“Konsideroj se edhe ne, pra institucionet tona, nuk kanë bërë shumë, për të mos thënë fare, në mbledhjen e fakteve dhe provave për ndjekjen e të gjithë kriminelëve serbë.

Drejtësia kërkon fakte e prova të përgatitura mirë, para të cilave do të lëviznin edhe institucionet ndërkombëtare te drejtësisë apo, kur do t’i ndjekim vetë penalisht”, është shprehur Jashari.
 
Ai ka thënë se EULEX-i duhet ta ndryshoj qasjen dhe të ndihmojë më shumë në luftimin e korrupsionit dhe të krimit.

“Duhet ta ndryshoj qasjen. Mund të ndihmojë shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, në vend se të humbet kohë në procese të tjera, uroj t’u kthehet proceseve të mirëfillta të sundimit të ligjit.

Kështu do të na bënte një shërbim të çmueshëm neve dhe vendit tonë”, është shprehur Jashari. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)