Jashari: Na intereson vetëm për popullin
Prishtinë, 7 mars - Përfaqësues i familjes së komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, Murat Jashari, ka vlerësuar se mosprania e presidentes Atifete Jahjaga dhe kryeministrit Hashim Thaçi në kullën e Jasharëve nuk e ka zbehur Epopenë e UÇK-së, madhështi e cila është duke mbretëruar këtyre ditëve në Prekaz.
Në një intervistë për Epokën e Re, Jashari ka thënë se familjes së komandantit legjendar të UÇK-së i interesojnë vetëm populli dhe institucionet.
Individët e politikanët shkojnë e vijnë. Dijen e nëndijen i ndan vetëm një fletë e hollë në mes. Është e drejtë e çdokujt të mendojë dhe të veprojë si të dëshiron. Gjithsecili do ta vlerësojë mendimin dhe pozicionin e vet. Por, ne i falënderojmë të gjithë ata që kanë vendosur të qëndrojnë bashkë me ne këto data historike, duke evokuar kujtime nga e kaluara, ka deklaruar Jashari.
Sipas Jasharit, po të ishin liderët më unik, proceset e gjithëmbarshme do të shkonin më mirë.
Populli në vazhdimësi më tepër ka treguar unitet dhe solidaritet. Popujt e qytetëruar ecin më shpejt përpara kur kanë një lidership me vizion, guxim dhe atdhedashuri. Sikurse udhëheqësit tanë të kishin pasur një unitet më serioz pas shpalljes së pavarësisë, punët do ti kishim shumë më mirë, është shprehur Jashari, duke shtuar se bashkimi kombëtar është në duart e qytetarëve dhe lidershipit shqiptar.