19 Janar 2025

Jasharajt, nga viti në vit –heroikë dhe legjendarë

Prishtinë, 5 mars - Viti 1998, padyshim është viti që shënoi kthesë në historinë e Kosovës. Rezistenca e familjes Jashari, lufta e lavdishme e UÇK-së dhe rënia e heroike e Komandantit Legjendar, Adem Jashari, së bashku me familje, janë emblemë e historisë më të re të Kosovës.

Ishte fillim marsi i vitit 1998, kur Serbia u koncentrua në Prekaz, aty ku ishte celula e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë në krye me Komandantin Legjendar, Adem Jashari. Ajo që ndodhi në fillimet e marsit të vitit 1998 do të bëhet dëshmi për botën e qytetëruar dhe ndërkombëtare. Natën e 4 dhe 5 marsit 1998, forcat serbe rrethuan Prekazin, ishte ky një rrethim i hekurt. Është e habitshme se si ato net nuk u kursye asgjë, madje shumëkush mund të thoshte se flijimi dhe sakrifica e Jasharajve është unike dhe e pashoqe. E, për këtë ngjarje të lavdishme është folur e shkruar shumë, por asnjëherë nuk do të ketë fund të rrëfimit, sepse historia e re e Kosovës ka filluar aty dhe ajo po vazhdon të shkruhet me krenari nga shqiptarët.
 
Rezistencën e familjes Jashari, prof. Dr. Xheladin Shala nga Dega e Historisë së Instituti i Albanologjik të Prishtinës,  e konsideron unike dhe të pashoqe.
 
“Rezistenca e familjes Jashari në vitin 1998 është diçka unikate në rruzullin tokësor, do të thotë me vetëdije tërë familja, si më i moshuari, me fëmijë dhe gra, kanë qenë të përkushtuar që të mos zmbrapsen nga pushtuesi serb, por të flijohen për tokën e shenjtë të Kosovës”, thotë Shala.
 
Edhe historiani Sabit Syla, ditët e marsit të vitit 1998 dhe rënien heroike të Adem Jasharit, i konsideron himn për luftën e shenjtë të Kosovës.
 
“5, 6 dhe 7 marsi i vitit 1998, paraqet përmasën e lavdisë kombëtare të popullit shqiptar me madhështi të veçantë, për çlirimin e vendit tonë të okupuar nga pushtimi serb, dhe sjelljen e lirisë së një populli të shumëvuajtur gjatë historisë së tij. Kështu, familja Jashari u ngrit si një kushtrim për gjithë popullin e Kosovës dhe shërbeu si një himn për luftën e tij të shenjtë”, thotë historiani Syla.
 
Mbase një vlerësim për këtë rezistencë do ta jepte secili nga ne që e ndjen vetën shqiptar. Të pakursyera janë fjalët që vijnë edhe nga vëllezërit tanë në Shqipëri.
 
Besnik Mustafaj, shkrimtar, diplomat e politikan, thotë se edhe pse nuk ka pasur fatin ta takojë Adem Jasharin, vepra e tij ka dhënë optimizëm e shpresë se lufta do të fitohej.
 
“Në kuptimin e parë dhe të mirëfilltë nuk kam një vlerësim më të nuancuar se të tjerët, pra është gjithë vlerësimi që shkon për heronjtë. Adem Jashari me jetën e tij dhe vdekjen e tij, dhe këtu kur them te vdekja e kam parasysh gjëmën e madhe që u bë në familjen e tij, për arsye që nuk lidheshin me gjëra personale, por me ideale të mëdha, që ishte çlirimi i Kosovës. Adem Jashari mbetet absolutisht një figurë historike e pazëvendësueshme për kontributin që ka dhënë në lindjen e shkëndijës së UÇK-së, në organizimin e saj, sepse ushtri pa organizim nuk ka dhe në përhapjen e besimit dhe të optimizmit tek shqiptarët në përgjithësi se kjo luftë mund të fitohej dhe në ngjalljen, do të thosha unë, pastaj bashkë me familjen e tij, në ngjalljen e shpirtit të sakrificës tek të gjithë shqiptarët, sepse pa ngjalljen e një shpirti sakrifice dhe pa gatishmërinë për të dhënë edhe jetën për një çështje të madhe, asnjë luftë nuk mund të fitohet”, thotë Besnik Mustafaj. 

Me aktin e rënies së Komandantit Legjendar, Adem Jasharit,  familjes së tij dhe Jasharajve të tjerë, Kosova mundi frikën dhe i hapi shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë së saj. Marsi i atij viti është kulmi i rezistencës së shumë gjeneratave për vite",  shton profesor Xheladin Shala.

“5, 6 dhe 7 Mars 1998 është datë epokale për popullin shqiptar, i cili që nga viti 1844 - nga ‘Naçertania’ një gjë që u shkrua mbi njëzet projekte antikombëtare, e këtu është ai kulmi i asaj që shumë gjenerata kanë sakrifikuar, shumë djem e vajza, gra e burra janë flijuar, por pas kësaj date kjo është data e kësaj gjenerate të shkëlqyer që pas kësaj është arritur ajo që ka ëndërruar populli shqiptar i Kosovës, i cili është më i persekutuari jo vetëm në Ballkan por edhe në Evropë, prandaj kjo datë dhe ai vend duhet të jetë i shenjtë për popullin e Kosovës dhe për gjithë popullin shqiptar”, thotë historiani Shala.
 
Edhe historiani tjetër, Sabit Syla, thotë se marsi i vitit ‘98 solli ndryshime rrënjësore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
 
“5, 6 e 7 marsi e zgjoi dhe ndërgjegjësoi botën demokratike perëndimore. Pas luftës së zhvilluar u mbajt edhe takimi i parë ndërkombëtarë që iu kushtua tërësisht çështjes së Kosovës në Londër nga mbledhja e Grupit të Kontaktit më 9 mars 1998, ku rezultat kryesor i këtij takimi ishte fakti që për herë të parë po merrej ekskluzivisht me çështjen e Kosovës, Grupi i Kontaktit. Po ashtu, OSBE diskutoj për Kosovën e kërkoi bashkëveprim me Unionin Evropian e NATO-n, e shumë diplomatë amerikanë e britanikë vizituan Kosovën e shumë përfaqësues tjerë diplomatik u deklaruan rreth gjendjes në Kosovë. Kështu me fillimin e luftës çlirimtare, çështja e Kosovës vetëm gjatë një jave 7 deri me 14 mars dominoi në forume të larta ndërkombëtare si: Bashkimin Evropian, në Grupin  e Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian e forume tjera, në të cilat u përcaktuan edhe disa zgjidhje për çështjen e Kosovës, megjithëse zgjidhje jo te kënaqshme. Me një fjalë, e tërë ajo që qoi në lëvizje diplomacinë ndërkombëtare, qe rezistenca dhe lufta e armatosur e UÇK-së, ne krye me familjen Jashari”, shton ai.
 
Ndërsa për ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Besnik Mustafajn, marsi i vitit 1998 ishte goditje e madhe për ushtrinë serbe.
 
“Kjo datë, në radhë të parë, u tregoi serbëve, pra është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo datë, kjo ngjarje e madhe, tragjike por edhe heroike njëkohësisht - u tregoi serbëve, qoftë ushtrisë, qoftë opinionit publik se rezistenca shqiptare do të ishte masive, do të ishte popullore, do të ishte me të vogël e me të madh, me burrë e me grua, dhe gjendja e ushtrisë serbe e administratës pushtuese e shtetit serb përballë një perspektive të tillë ku do të ndesheshin me një popull të tërë dhe jo me një grup njerëzish, burrash apo të rinjsh, kjo sigurisht që në moralin e tyre ka shkaktuar një goditje të fortë”, shton më tej Mustafaj.
 
Jo vetëm kjo, sipas Mustafajt rezistenca e Jasharajve ngriti moralin e shqiptarëve dhe ndërgjegjësoi bashkësinë ndërkombëtare, karshi Kosovës.
 
“Së dyti - në moralin e shqiptarëve kjo pasur një ndikim, jam i bindur dhe nga kujtimet që kam, duke e përjetuar nga Tirana këtë histori, kjo u ngjalli shqiptarëve ikonën tek e cila duheshin shihnin shembullin për t’u ndjekur. Dhe kjo në botën shqiptare ngjalli mobilizimin e madh që është shumë i rëndësishëm dhe në aspektin e tretë -në vetvete. Tek ndërkombëtarët kjo tregoi se natyra e ushtrisë serbe e autoriteteve serbe, e shtetit serb, është natyre kriminale që masakronte civilë, pra në të tria këto aspekte i qeli një etapë të re”, thotë më tej shkrimtari dhe diplomati Besnik Mustafaj.

Lufta e Prekazit mobilizoi jo vetëm popullit shqiptar por edhe  shtetet tjera liridashëse të botës  demokratike dhe e ngriti lartë moralin e luftës së UÇK-së.

Prof. Dr. Xheladin Shala thotë se përpjekjet e pushtuesit serb për ta  shuar zemrën e luftës së UÇK-së, ishin të kota.
“Pushtuesi serb, pushtuesi barbar,  mendoi se me shuarjen e kësaj çerdhe të rezistencës së popullit shqiptar, do ta shuaj dhe do ta fashitë rezistencën e popullit shqiptar. Por, përkundrazi. Këto data ndikuan furishëm, ndikuan jashtëzakonisht në mënyrë pozitive, duke  mobilizuar të madh e të vogël që të hyjnë në luftë të armatosur”, shton Shala.
 
Por, kush ishte Adem Jashari?

Adem Jashari ishte i biri i Shaban Jasharit dhe i Zahidesë. Ai lindi në ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, më 28 Nëntor të vitit 1955. Mësimet fillore i mori në Skenderaj, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi në Mitrovicë. Familja shumëanëtarëshe e Shaban Murat Jasharit ishte një familje me traditë të shëndoshë shqiptare. Ademi, ashtu sikur edhe shumë të rinj liridashës të kohës, kishte preokupime të veçanta. E donte dhe e çmonte armën. Ëndërronte lirinë e popullit të tij të robëruar dhe të nëpërkëmbur. I donte njerëzit, ndërsa shoqërohej sidomos me ata, të cilët shfaqnin interesim për të lënë gjurmë në kohë, për të vazhduar historinë aty ku kishte ngecur.
 
Në kullën e përbashkët të familjes, pothuajse për çdo natë kishte miq. Hynin e dilnin burra të mençur e trima, të cilët rrëfenin për të kaluarën e rëndë, por edhe për rezistencën e vazhdueshme të liridashësve të përkushtuar.
 
Njëri ndër ta ishte edhe Rexhep Selimi, i cili me shumë krenari sjellë disa kujtime gjatë qëndrimit në Kullën e Jasharajve. Ai thotë se  është e pamundur me pak fjalë të përshkruhet figura e Adem Jasharit.
 
“Vërtet unë kam pas fatin dhe rastin që të jem një ndër ata që kemi kaluar kohë bashkë, kemi bashkëvepruar bashkë, pavarësisht se edhe në atë shtëpi kam qëndruar për dy vjet rresht, nuk jam aq i zoti sa ta përshkruaj madhështinë e asaj familjeje. Madhështinë e atyre protagonistëve, të cilët- thjeshtë nuk ishin anëtarë të një familje por ishin bazamenti i lirisë së kombit dhe asnjë nga ne nuk do të mund ta përshkruante me saktësi, madje as përafërsisht, madhështinë e familjes Jashari”, thotë Rexhep Selimi.
 
Ai shton se Adem Jashari dallohej nga të tjerët pasi ka pasur nivel të pakrahasueshëm për gatishmërinë e sakrificës.
 
“Adem Jashari ka qenë njëri prej nesh, njeri prej qytetarëve të këtij vendi... Adem Jashari ka qenë njëri prej shqiptarëve ... nuk ka qenë as i ardhur nga qielli as i mbirë nga dheu, por ka qenë njëri nga shqiptarët, por ajo që e dallonte Adem Jasharin nga shqiptarët tjerë është niveli i gatishmërisë për sakrificë deri në shkallën ku ata vërtet e kanë shënuar në historinë e kombit shqiptar” shton më tej Selimi.
 
Pas rrethimit të tretë të Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ,Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhimbshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit: Nuk do të dorëzohemi për së gjalli!
 
Pikërisht për këtë sakrificë, çdo gjë rreth tij - konsiderohet legjendë.
 
Profesor Xheladin Shala thotë se ajo që ka ndodhur për tri ditë në Prekaz - është legjendë për popullin shqiptar.
 
“Legjendar e ka anën pozitive, por e ka edhe anën e mitologjisë. Legjendar në atë kuptim që me të vërtetë ato tri ditë kanë qenë legjendë për popullin e Kosovës gjë që edhe brenda tri ditëve fuqia më e madhe e sotme ushtarake, e NATO-s ka mbajtur mbledhje duke cekur dhe cituar shtypin dhe propagandën serbe se kinse po i luftojmë terroristët, por në realitet aty ka dal diçka tjetër, diçka mitologjike, do të thotë që ka pasur sakrificë, do të thotë se aty nuk ka pasur fare terroristë, por ka pasur luftëtarë, ka pasur fëmijë, gra dhe të moshuar”, thotë më tej Xheladin Shala.
 
Për heroizmin e komandantit Legjendar Adem Jashari është folur e shkruar shumë. Aty përmendet edhe heroizmi i vëllezërve të tij. Diçka të tillë sjellë edhe Rexhep Selimi, bashkëluftëtar i Adem Jasharit, i cili sjellë porosinë që u ka kishte dhënë plaku fisnik Shaban Jashari, babai i Adem Jasharit.
 
“Natyrisht se kujtimet janë ndër më të pashlyeshme të asaj kohe për shumë arsye për shkak të rrethanave dhe për shkak të vendit ku kemi bashkëvepruar, normalisht që kujtime kemi shumë por edhe emra ka shumë atje. Figura e madhe e Adem Jasharit nuk do të ishte e tillë sikurse mos të ishte edhe një Hamza aty, sikurse mos të ishte edhe një Shaban aty, sikurse mos të ishte edhe një Fitim, një Kushtrim një Igball... pra të gjithë këta djem, këta burra e vajza, që kanë qenë aty, e kanë bërë shumë të madh Prekazin dhe i kanë dhënë përmasa legjendare Prekazit dhe figurës së Adem Jasharit. Normalisht, kujtimet më të mira i kam me Adem Jasharin, me Hamzën me Shabanin. Në një moment kur ne po niseshim për një aksion të bashkoheshim me Ademin, me Hamzën dhe me të tjerë, aty Shaban Jashari na u drejtua me këto fjalë: Djem, ju mund të fitoni vetëm nëse e keni përnjëmend dhe vetëm nëse e keni nda mendjen të luftoni gjatë! Kjo i bie që një popull ose një strukturë e cila merr përsipër çlirimin duhet të jetë e përgatitur moralisht, duhet të jetë e përgatitur që të futet me gjithë qenien dhe po ashtu te jetë e përgatitur që të luftojë gjatë, për shkak se nuk do të duhej askush që të mos ishte me krejt potencialin dhe qenien dhe njëkohësisht të mos ishte i përgatitur të luftonte gjatë. Këtë kujtim desha të ndaj nga Shaban Jashari dhe një tjetër nga Hamzë Jashari, i cili kur pinte cigare nuk merakosej për shëndetin, sepse ishte i vetëdijshëm se nuk do të vdes nga cigarja”, thotë bashkëluftëtari i Adem dhe Hamzë Jasharit, Rexhep Selimi.
 
Sot Kosova me mburrje Adem Jasharin e quan hero kombëtar.
 
“Paj, nëse nuk quhet Adem Jasahri Hero Kombëtar i Kosovës, kush tjetër do ta meritonte. Shumë gjenerata kanë sakrifikuar por nuk kanë arritur. Gjenerata e Adem Jasharit e ka realizuar atë ëndrrën shekullore që çizmja e pushtuesit serb të largohet nga Kosova. Do të thotë- mbi të gjitha e meriton, jo vetëm i Kosovës por hero i shqiptarizmës”, thotë historiani Shala.
 
Lajmi për rënien e Adem Jasharit, 20 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerëve nga familja e gjerë Jashari, si dhe të atyre që kishin qëlluar gjatë atyre ditëve në Prekaz, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës dhe ishte reflektuar me një dhembje të pakrahasueshme kudo te shqiptarët.
 
Dhembja, por edhe krenaria për Prekazin, kishte ngritur në këmbë të gjitha forcat liridashës anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në mërgatë.
 
Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, i Shaban Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë impulse vendimtare luftës për liri. Më 28 Nëntor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së. Sot, Garda e Kosovës mban emrin e Adem Jasharit.
 
Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner, ishte shprehur: “Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari të Prekazit”.
 
Kompleksin memorial “Adem Jashari” e vizituan edhe shumë figura tjera të rëndësishme botërore, u shkrua gjerë e gjatë edhe nga shtypi botëror. Ky kompleks u vizituar nga mbi 10 milionë qytetarë nga të gjitha viset e ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët. Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura dhe jetëshkrime të panumërta, nga shumë intelektual shqiptar dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, në shtypin ditor dhe në atë periodik.
 
Janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike. Emri i Adem Jasharit është përjetësuar në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore, kudo në trojet shqiptare;
 
Pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk e ka portretin e Adem Jasharit.

rtk

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)