Japonia vazhdon mbështetjen ndaj Kosovës
Tokio, 7 qershor - Në ditën e dytë të vizitës në Japoni, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, u takua me Akihiko Tanaka, President i Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) dhe znj. Sadako Ogata, Këshilltare speciale e Presidentit Tanaka dhe ish-Komisionere e Lartë për Refugjatë në Kombet e Bashkuara.
Gjatë takimit Kryeministri Thaçi, në emër të Qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderoi JICA-n për ndihmën dhe përkrahjen që i ka dhënë Kosovës populli dhe Qeveria Japoneze.
Poashtu, Kryeministri Thaçi falënderoi Presidentin Tanaka për donacionet e fundit të përkrahura nga Qeveria Japoneze përmes JICA-s në fushën e ambientit, duke i dhuruar Kosovës 30 kamionë për grumbullimin e mbeturinave, si dhe ndihmën në menaxhimin e mbeturinave.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi gjatë takimit informoi Tanaka dhe znj. Ogata për zhvillimet fundit në Kosovë dhe për progresin që ka arritur Kosova në vitet e fundit si dhe për qëllimin dhe vizionin e Qeverisë së Kosovës për integrimin në strukturat euroatlantike.
Kryeministri Thaçi kërkoi që mbështetja e Japonisë të kalojë nga faza e asistencës financiare dhe profesionale në fazën e investimeve dhe zhvillimit ekonomik.
Në anën tjetër, Tanaka dhe znj. Ogata, shprehën përkushtimin e tyre dhe të Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës përmes projekteve në fusha të ndryshme sipas nevojave të paraqitura nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Gjatë takimit, Kryeministri Thaçi falënderoi znj. Ogata për kontributin e saj të çmuar në ndihmë popullit të Kosovës dhe i bëri ftesë asaj për të vizituar Kosovën në një të ardhme të afërt.