28 Dhjetor 2024

James Steinberg sot viziton Kosovën

Prishtinë, 8 prill - Zëvendëssekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikes (SHBA), James Steinberg, në kuadër të një vizite vendeve të Ballkanit Perëndimor, sot, do të vizitojë Kosovën.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka bërë të ditur se Steinberg do të ketë takime me kryetarin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni.

Sipas agjendës, zyrtarin e lartë amerikan, fillimisht do ta presë ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni. Më pas Steinberg do të ketë një takim me kryetarin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu. Në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Hashim Thaçi. Pas takimit do të organizohet një takim me gazetarë, në të cilin Steinberg, Sejdiu dhe Thaçi do të japin deklarata dhe do të përgjigjen në pyetje të gazetarëve.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Steinberg do të vizitojë Manastirin e Graçanicës, ku do të ketë një takim të shkurtër me klerin e manastitrit si dhe në Graçanicë ai takon edhe kryetarët serbë nga tri komunat e reja.

Në ndalesën e tij të fundit në kuadër të turneut Ballkanik, zëvendëssekretari amerikan i shtetit, James Steinberg, pritet që zyrtarëve të lartë të Kosovës t’u përçojë porosi për tejkalimin e dallimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Ai arrin në Prishtinë pas takimeve me zyrtarët e lartë serbë në Beograd, të cilët thuhet se do t’i inkurajojë që të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës për zgjidhjen e çështjeve teknike.

Pavarësisht dallimeve mes SHBA-ve dhe Serbisë për statusin e Kosovës, zoti Steinberg paraprakisht ka deklaruar se pavarësia e saj është faktor stabiliteti në rajon.

Zoti Steinberg ka theksuar nevojën e ndërtimit të urave të bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve.

Zyrtari i lartë amerikan sot në Prishtinë pritet që të takojë udhëheqësit e lartë të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesit e serbëve të tri komunave me shumicë serbe, të krijuara pas zgjedhjeve lokale të nëntorit të vitit të kaluar.

Në prag të ardhjes së tij në Prishtinë, 13 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i janë drejtuar atij me një letër, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e sundimit të ligjit në veri të vendit dhe siç thuhet mungesën e rezultateve të prekshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)